Pensionistët, shperblimi i fundvitit luhatet nga 3 ne 5 mije leke
Jonida Tashi, Ervin Koçi
Ministria e Financave ka nisur përgatitjen e udhëzimit për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit. Burime zyrtare nga ky dikaster bëjnë të ditur se ka filluar të diskutohet vendimi për shpërblimin e pensionistëve, por ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë konkretisht masa e tij në lekë. Të njëjtat burime sqarojnë se masa e shpërblimit për pensionistët mund të jetë e njëjtë me vitin e kaluar, pra rreth 5 mijë lekë. Por duke qenë se ende gjithçka është në fazën e diskutimeve, pritet që në ditët në vijim të mësohet diçka më shumë për përfitimet shtesë, që do të kenë pensionistët për festat e fundvitit. Megjithatë, për të mësuar përfundimisht se kur do të nis shpërndarja e këtij shpërblimi dhe sa lekë do të jetë ai pritet vendimi i kryeministrit të vendit, Sali Berisha, si dhe do të shikohen mundësitë që ka buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu është parashikuar që në rast se buxheti i ISSH-së nuk do të arrijë të përmbushë nevojat, atëherë Ministria e Financave do të ndërhyjë për të plotësuar fondin e nevojshëm për shpërblimin e pensionistëve.
Propozimet
Ndonëse nuk është përcaktuar ende se sa do të jetë masa e shpërblimit për pensionistët, në fuqi mbeten dy propozime, realizimi i të cilave varet nga fondi që është vënë në dispozicion të Ministrisë së Financave në përballimin e shpërblimit. Për sa i përket këtyre dy propozimeve, burimet sqarojnë se një nga propozimet është që shpërblimi për moshën e tretë të jetë i barabartë si për pensionistët që jetojnë në fshat, ashtu edhe për ata që jetojnë në qytet dhe shuma e këtij shpërblimi të jetë 5 mijë lekë. Ndërsa propozimi tjetër, parashikon rritjen e shpërblimit për pensionistët në rreth 6 mijë lekë. Në rast se rritja e masës së shpërblimit nuk është e realizueshme për të gjithë pensionistët, ekspertët kanë specifikuar që shpërblimin prej 6 mijë lekësh ta përfitojnë pensionistët që kanë shumë probleme ekonomike. Në këtë kategori, ekspertët kanë përfshirë pensionistët që kanë në ngarkim persona të tjerë të familjes që nuk janë në marrëdhënie pune, ose familjet ku vetëm një nga pjesëtarët e rritur përfiton pension, kurse tjetri nuk ka asnjë të ardhur.
Mungesa e fondeve
Duket se mungesa e mjaftueshme e fondeve për të realizuar edhe këtë vit “dhuratën” e qeverisë për pensionistët, do të bëjë që të gjithë të moshuarit të mos kenë mundësinë ta hapin para vitit të ri “pakon” e kryeministrit. Një gjë e tillë do të thotë se edhe nëse shpërblimi modest do të miratohet dhe akordohet këtë muaj, ai do të shpërndahet për pensionistët vetëm në janar 2010 e në vazhdim. Shkak është mungesa e parave në arkën e shtetit dhe të ISSH-së. Burimet nga Ministria e Financave thanë se, vendimi përkatës për dhënien e shpërblimit moshës së tretë duhej të dilte që në 15 ditshin e parë të muajit dhjetor, gjë e cila nuk ndodhi. Qeveria u mjaftua dje vetëm me diskutimin e propozimit të bërë nga kryeministri Berisha në lidhje me shpërblimet si për administratën ashtu dhe për pensionistët. Por dalja e vendimit i cili do të përcaktojë dhe shumën e saktë të masës së shpërblimit pritet në ditët në vazhdim. Ministria e Financave do të bëjë publik udhëzimin përkatës për masën e tij, ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të përcaktojë grafikun e shpërndarjes së shpërblimit. Vitin e kaluar, vendimi për shpërblimin e pensionistëve u bë publik në datën 22 dhjetor.
Tradita për fundvit që gëzon moshën e tretë
Dhënia e shpërblimit për fesat e fundit jo vetëm për moshën e tretë, por edhe për punonjësit e administratës tashmë është kthyer në traditë për vendin tonë. Fillimisht shpërblimi për festat ose siç u quajt ndryshe nga ish-kryeministri i vendit Fatos Nano, si “Kartolina e Vitit të Ri” për pensionistët u aplikua për herë të parë nga qeveria “Nano” në vitin 2004, kur ai u premtoi dhe u shpërndau një shpërblim prej 3 mijë lekësh për të gjitha kategoritë e të moshuarve. Më pas, edhe pas ndërrimit të pushteteve, në vitin 2005, kur në krye të qeverisë erdhi kryeministri aktual i vendit Sali Berisha, u respektua e njëjta traditë. Dhurata për moshën e tretë këtë herë u konceptua si “gjeli i detit” dhe kishte shumën e 5 mijë lekëve, aq sa kushtonte në treg një gjel deti. Që nga viti 2005, Berisha ka miratuar vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe administratës, duke u dhënë një pagesë deri në 5 mijë lekë moshës së tretë, si një “dhuratë” për festat e fundvitit. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 540 mijë pensionistë përfitues të këtij shpërblimi që jepet çdo fundvit, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Vitin e kaluar, sikurse edhe tre vitet e mëparshme, të gjithë pensionistët kanë përfituar një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Shpërblimi është dhënë për të gjithë pensionistët, pavarësisht vendit ku ata ndodhen apo kategorisë që i përkasin. Ashtu siç ka ndodhur çdo vit, këta pensionistë do të kenë mundësi që të marrin një rritje pensioni vetëm për muajin fundit të vitit, si kompensim për të kaluar sa më mirë festat e fundvitit. Tradicionalisht, sezoni i festave të fundvitit është shoqëruar me një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit, gjë që është vënë re edhe në këtë situatë, aq më tepër duke marrë parasysh rënien e fuqisë blerëse. Këto fakte kanë zbehur vlerën financiare të shpërblimeve, si dhe kanë varfëruar tryezën e festës së Vitit të Ri, si festa tradicionale e shqiptarëve. Veç pensionistëve, qeveria ka vendosur që të shpërblejë edhe punonjësit e administratës qendrore dhe lokale me 10 mijë lekë shpërblim. Në fund të muajit nëntor, qeveria miratoi vendimin për krijimin e një fondi të posaçëm rreth 5 për qind, për shpërblimet e punonjësve të çdo dikasteri mbi bazën e vlerësimit të titullarit të institucioni, jo më shumë se dy rroga shpërblim, kryesisht për punonjësit e administratës tatimore.
Shpërblimi, shpërndarja do të bëhet sipas grafikut
Edhe këtë vit shpërblimi për moshën e tretë do të shpërndahet sipas skemës tradicionale të ISSH-së, pra nëpërmjet grafikut të caktuar me datat përkatëse. Sakaq, për të realizuar dhënien e këtij shpërblimi pritet që qeveria të miratojë një dekretligj, i cili do t’i hapë rrugë procedurave të mëtejshme për shpërblimin e kësaj kategorie. Më pas do të jetë Kuvendi i Shqipërisë, ai që do të miratojë dekretligjin, fill pas kësaj procedure do të nis shpërndarja e shpërblimit. Shpërndarja do të realizohet sipas listës së emrave dhe urdhër-pagesave, që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10 ditshin e fundit të muajit dhjetor, me qëllim që të gjithë pensionistët ta marrin shpërblimin para natës së ndërrimit të viteve. Për të evituar problemet në shpërndarjen e pensioneve, si dhe në përfundimin e dhënies së shpërblimit të fundvitit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të hartojë një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Grafiku parashikon shpërndarjen e shpërblimit deri më 30 dhjetor, duke kombinuar për çdo ditë marrjen e këstit mujor nga ata që kanë datën e zakonshme të tërheqjes së pensionit, me dy data të mëparshme që e kanë tërhequr pensionin dhe që pas orës 13.00 do të përfitojnë vetëm shpërblimin. Sipas këtij grafiku, pensionistët do ta marrin shpërblimin në datën e caktuar kur marrin edhe pensionin. Ndërsa pas orës 13.00 do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit. Pensionistët që cilët nuk do arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, do ta marrin atë në janar të vitit 2009 kur të kenë datën e marrjes së pensionit.
Fundviti, administrata dhe pensionistët shpërblime modeste
Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga ministri i Financave, Ridvan Bode, që edhe këtë fundviti të ketë shpërblime, qoftë edhe modeste, për administratën dhe për pensionistët. "Pavarësisht nga ndikimet e krizës globale, të merren masat që punonjësve të Administratës Publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit t’u jepet një shpërblim fundviti, sado modest të jetë",- deklaroi kryeministri Berisha. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë zhvilloi dje një takim me ministrin e Financave, Ridvan Bode, së bashku me përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Përfaqësuesit e ministrisë së Financave dhe të ISSH-së e njohën Kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti. Pas kërkesës së Kryeministrit Berisha, ata morën përsipër të shqyrtojnë të gjitha mundësitë në mënyrë që punonjësit e Administratës Publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit t’u jepet një shpërblim fundviti. Kreu i qeverisë nuk bëri të ditur asnjë shifër konkrete të masës së shpërblimit. Në Shqipëri numërohen aktualisht rreth 100 mijë të punësuar në sektorin shtetëror dhe 540 mijë pensionistë. Një ditë më parë, në Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha u zotua të realizojë në muajin qershor rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, pavarësisht nga kostoja që ajo do të ketë në buxhet. Por nga ana tjetër në buxhetin e vitit 2010, fondi i parashikuar për pagat dhe pensionet është tepër i vogël, kjo për shkak të mungesës së të ardhurave që priten të grumbullohen vitin e ardhshëm në arkën e shtetit.
16 Dhjetor 2009