E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Viti 2010 do të jetë viti i ndarjes nga pushteti i Berishës”



Socialistët kanë vazhduar turin e protestave edhe gjatë ditës së djeshme, ku janë ndalur në qytetin e Beratit. Gjatë fjalës së mbajtur para simpatizantëve të shumtë, Rama tha se viti 2010 do të jetë viti i ndarjes nga pushteti i Berishës. “Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës e do të protestojmë për largimin e këtij pushteti që grabiti votat”, - theksoi kryesocialisti Edi Rama nga Berati, ku u zhvillua protesta e radhës e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë e vështirësitë ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve. “Nuk ka festë për familjet shqiptare që presin një faturë të re. Çmimi i energjisë e bën zero rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Kjo do të sjellë rritje të pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin ligjëron një parlament pa legjitimitet. Ky pushtet i grabitur do t’i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit, ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer qeverisjen në një regjim për familjen e Sali Berishës”, - u shpreh Rama. “Hap kutitë, ose largohu!” - ishte thirrja e kryesocialistit drejtuar kryeministrit, ndërsa ritheksoi se Berisha duhet t’u drejtohet gjykatave e prokurorisë për t’u përballur me paditë e ngritura ndaj tij për shkak të atyre që Rama i quan shpifje që kanë si qëllim trembjen e opozitës dhe largimin e vëmendjes nga kutitë e votimit.
Më tej Rama tha se kreu i qeverisë nuk mund kërcënojë opozitën me darët e ligjit kur, sipas tij, është i zhytur në mashtrime. “Nuk e ka fajin opozita për miliona euro të varrosura në Kalimash, për viktimat e Gërdecit; nuk e ka fajin për minierat, fushat, lumenjtë, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta për të pushtuar gjithçka për përfitimet e disa njerëzve”, - u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave, por për mohimin e të drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm se vodhi votat, por se ka ndaluar hapjen e kutive. Është një e drejtë qe nuk mund t’i mohohet Shqipërisë në vitin 2010. Në vitin 2010 do ta kërkojmë me forcë këtë të drejtë, do ta kërkojmë me forcë në çdo rrugë dhe shesh të Shqipërisë derisa Sali Berisha të ikë”, - theksoi Rama.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›