Ina Rama firmos memorandum me gjashtë shtete
26/01/2010 Në takim ishte pjesëmarrës edhe kryeprokurori i Kosovës, Hilmi Zhitia
Nga Roma vendet ballkanike bien dakord për luftimin e krimit
TIRANE- Shtatë vende të gadishullit Ballkanik kanë nënshkruar dje në Romë një memorandum të përbashkët, për luftimin e krimit të organizuar. Vendimi është marrë pas takimit të 7 kryeprokurorëve në kuadër të projektit “PROSECO” i financuar nga Këshilli i Evropës dhe BE-së. Aktiviteti i djeshëm u konsiderua më i rëndësishmi i këtij projekti, pasi qëllimi i takimit ishte nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi mes prokurorëve të përgjithshëm të Evropës Juglindore. Krahas përfaqësuesve të Këshillit të Evropës në këtë takim morën pjesë prokurorët e përgjithshëm të Shqipërisë, Serbisë, Malit të zi, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës e Maqedonisë. Mësohet se Kosova përfaqësohej nga Kryeprokurori Hilmi Zhitia, i cili gjatë takimit zhvilloi edhe një bisedë pune me përfaqësuesin e shtetit Serb. Ndërkohë që Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka firmosur këtë memorandum ku së bashku me vendet pjesëmarrëse ky nënshkrim pritet të shmangë vështirësitë procedurale që mund të ekzistonin, në hetime mes palëve. Objekti i memorandumit është bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të krimeve të rënda. Qëllimi që kërkon të arrijë ky nënshkrim memorandumi mes këtyre vendeve të Ballkanit, është lehtësimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të drejtpërdrejtë mes prokurorive dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta. Nga drejtuesit e institucioneve, nënshkruese të memorandumit u shpreh vullneti i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit, si dhe u përcaktuan pikat e kontaktit që do të vazhdojnë punën konkretisht. Prokuroritë e shtatë vendeve kanë formalizuar kështu hetimet e përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe veprave penale të rënda.