Shpërblimet për festa, një pagë mujore për mjekët
29/12/2009 ISKSH, shpërblimet sipas performancës
Mjekët e punësuar pranë qendrave të kujdesit parësor do të përfitojnë një pagë mujore shpërblim për festat, që do të shpërndahet brenda datës 31 dhjetor. Ndërsa mjekët në spitale shpërblimin do ta marrin në varësi të pagës aktuale. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore Elvana Hana gjatë ditës së djeshme. Bazuar në treguesit e performancës së mjekëve, tashmë është përllogaritur masa e shpërblimit për qendrat shëndetësore, ku sipas rezultateve të arritura do të jepet një pagë shpërblim. Sa u takon spitaleve, ato do të përdorin 5 për qind të fondit të planifikuar vjetor të pagave për dhënien e shpërblimeve në masën 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. “Falë udhëzimit të ISKSH-së për përdorimin e 30 për qind të ardhurave dytësore për shpërblime, i cili bazohet në vendimin e qeverisë për përdorimin e të ardhurave dytësore nga vetë spitalet, shuma që mund të përfitohet mund të shkojë deri në një pagë mujore”, - ka pohuar Hana. Mbështetur në realizimin e treguesve të 2009-s, rezulton se 415 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor do të përfitojnë edhe pagën e dytë shpërblim. Sipas rajoneve, rezulton se përfitojnë shpërblime afërsisht dy paga mujore (njëra është marrë në mes të vitit dhe tjetra në fund të vitit) punonjësit e Tiranës, Korçës, Dibrës, Fierit, Beratit, Vlorës, Tropojës. Nga ky fond përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrave, nga të cilët rreth 2000 mjekë, 6600 infermierë dhe infermiere, 700 punonjës të tjerë: sanitarë, shoferë, ekonomistë. Gjithashtu shpërblime do të përfitojnë edhe 11888 punonjës të shërbimit spitalor sekondar e terciar.