Shqipëria marrëveshje kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale

Bashkëpunimi ndërkufitar me vendet e rajonit
TIRANE - Shqipëria ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku angazhohet se bashku me vendet e tjera të rajonit për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë kufitar kundër trafiqeve të ndryshme. Kjo marrëveshje ka ardhur në përfundim të konferencës të 6 Ministrave të Brendshëm të Evropës Juglindore, me temë “Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë Kufitare”, mbajtur në datat 5-6 mars 2009 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, nën organizimin e DCAF (Democratic Control Armed Forces), organizatë ndërkombëtare, që prej kohësh vepron në rajon me qëllim bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor për të bërë Ballkanin një territor më të sigurt.
Në këtë takim ku të pranishëm ishin ministrat e Brendshëm të vendeve evropiane, si ai i Italisë, Roberto Maroni, i Çekisë, Ivan Langer etj., Shqipëria përfaqësohej nga një delegacion të kryesuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, në përbërje të të cilit ishin dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prenci, Drejtori i Kufirit, Pëllumb Nako dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Zyra e Shtypit e Policisë së Shtetit bëri dje me dije se në këtë konferencë u diskutua siguria e kufijve dhe dokumenteve si element i rëndësishëm për integrimin e rajonit në Evropë, ku si hap i parë shihet liberalizimi i vizave deri në heqjen e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja e pjesëmarrjes së Ministrave të Brendshëm Evropiane.
Seanca e parë u përshëndet nga Presidenti Serb, Boris Tadiç dhe Ministrat e Brendshëm Evropiane të pranishëm. Sesioni i parë i takimit me temë “Rruga e përzgjedhjes për në Schengen” u drejtua nga Zëvendësministri Strazimiri, dhe pati për folës kryesore drejtues të organizmave të rëndësishëm evropiane si Ivan Bizijak, Drejtori i Përgjithshëm për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në EU, Gil Areas Fernandes Zëvendësdrejtor ekzekutiv i FRONTEX dhe Anton Travner shefi i sekretariatit të bashkëpunimit të konventës policore për Evropën Juglindore.
Në ditën e dytë të punimeve në fjalën e tij zëvendësministri Strazimiri, pasi vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm në rajon, duke folur për Kosovën dhe pjesëmarrjen e saj në të tilla tryeza u shpreh se “gjatë dhjetë viteve të fundit rajoni ynë ka ndryshuar krejtësisht”.
“Ka ndryshuar në mentalitet, ka ndryshuar në komunikim, ka ndryshuar në objektivat që të gjithë ne kemi. Vetëm pak vite më parë as nuk do të mund të mendohej organizimi i aktiviteteve të këtij lloji, ku të gjithë bashkë diskutojmë dhe u japim zgjidhje sfidave të përbashkëta. Pra jetojmë në një realitet të ri, i cili na vendos përballë çdo ditë sfida të reja. Tabutë e vjetra, refuzimi i realiteteve apo mospërfshirja e të gjithë aktorëve të rajonit, lë të papërmbushur fazën finale dhe më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi të shkëlqyer. Siguria e përbashkët në rajon, nuk mund të garantohet me aktorë të përjashtuar nga ky proces”, deklaroi Gent Strazimiri, zëvendësministri i Brendshëm.