Borxhi, 20-vjeçari peng në Dajt nga dy ish-ortakët
Dashamir Biçaku
Dy ish-ortakët e biznesit marrin peng të riun për 3 mijë euro borxh të pashlyer. Policia ka identifikuar autorët pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari dhe ka nisur ndaj tyre procedimin penal në gjendje të lirë, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Ismail Ago, 24 vjeç dhe Andi Çela, 23 vjeç, janë denoncuar nga ish-bashkëpunëtori i tyre në biznesin e tregtimit të materialeve dhe pajisjeve elektrike. Burime të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë mundur të zbardhin të gjithë historinë e këtij rrëmbimi, kanë pohuar se bëhet fjalë për një shumë prej 3 mijë eurosh që Eduart Balla iu detyrohej dy ish-ortakëve të tij. Mësohet se shkak i pengmarrjes ka qenë fakti se ai nuk po ua kthente paratë në kohë ish-miqve të tij. Të akuzuarit shkuan më tej në deklarimet e tyre në polici, duke pretenduar se personi që u kishte borxh kohët e fundit kishte tentuar t'u shmangej. Për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre, Andi Çela dhe Ismail Ago kanë zgjedhur t'i jepnin fund historisë, duke folur ballë për ballë me Eduart Ballën. Dy ish-ortakët mësohet se e kanë mbajtur "borxhliun" për dy orë në malin e Dajtit, duke ushtruar ndaj tij dhunë psikike. Më pas ata e kanë lënë të lirë, por janë detyruar të paraqiten në polici, në cilësinë e personave të marrë nën hetim, pasi i dëmtuari kishte denoncuar ngjarjen. Hetuesit e kryeqytetit pohuan dje se më tepër se një vit e gjysmë më parë, të tre personat kishin hapur së bashku një aktivitet të shitjes dhe të tregtimit të mallrave dhe pajisjeve elektrike. Të "tre shokët" kishin zgjedhur një dyqan të marrë me qira në rrugën "Myslym Shyri", për të ushtruar aktivitetin e tyre. Por ortakëria e të treve, sipas burimeve të policisë, ka zgjatur më pak se një vit dhe palët kanë nisur të mos merren vesh mes tyre. Për këtë shkak ata edhe janë ndarë mes tyre me marrëveshje, duke rënë dakord që personi që do të largohej duhej t'i paguante detyrimet përkatëse dy ortakëve të tjerë. Nga kjo marrëveshje mësohet se Eduart Balla duhej t'u paguante dy ish-ortakëve të tij në biznes shumën prej 3 mijë eurosh, ose rreth 4 milionë lekë të vjetra. Por pas gati 6 muajsh nga ky pakt, ai kishte shlyer shumë pak nga sa iu detyrohej Andi Çelës dhe Ismail Agos. Të martën pasdite, të dy e kanë ftuar në një kafe në rrugën "Myslym Shyri" ish-ortakun e tyre dhe më pas me një automjet e kanë dërguar në Dajt, ku ndaj tij, sipas të dëmtuarit, është ushtruar dhunë psikologjike. Pas rreth dy orësh ata kanë lënë të lirë borxhliun pas premtimit se do iu kthente lekët. Por më parë ai ka mbërritur në polici, duke i denoncuar të dy për heqje të paligjshme të lirisë.