Itali, kapet banda e drogës, kapoja "strehohet" në Shqipëri
ITALI- Policia italiane arrestoi dje 20 shqiptarë gjatë operacionit antidrogë, të koduar me emrin "Ramzan" në provincën e Lukas në Itali. Gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër arrestet për personat me kombësi shqiptare, të akuzuar si anëtarë të një bande të trafikut dhe shitjes së kokainës dhe heroinës në këtë provincë. Mediat italiane bënë të ditur dje se "dirigjenti" i gjithë trafikut ishte Artur Lamkja, 40-vjeç, vendndodhja aktuale e të cilit mendohet të jetë Shqipëria. Operacioni është mbyllur me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, disa automjeteve dhe parave kesh. Sipas policisë së vendit fqinj, hetimet për këtë rrjet të trafikut të drogës nga vendet e Evropës Veriore, deri në Itali, kishin filluar në qershor të vitit 2007. "Në muajin qershor të 2007, punonjësit e policisë të kuesturës së Lukës kishin vënë re një ngritje të konsiderueshme të kërkesës për kokainë dhe heroinë në provincë. Kjo ka çuar në nisjen e hetimeve të një grupi shqiptarësh të implikuar në trafik të importimit dhe shitjes së drogës, si edhe në shfrytëzimin e prostitucionit", citonin mediat vendase. Përgjatë 15 muajve prokurorët italianë i kanë shtrirë hetimet e tyre në provincën e Lukës, si edhe në Pistoia, Pisa, Masa dhe në Lombardi. Autoritetet policore italiane kanë cilësuar 40-vjeçarin Artur Lamkja, si organizatorin e gjithë trafikut. Sipas tyre, Lamkja, një ish-rezident në Luka, aktualisht qëndron në Shqipëri pasi është dëbuar vitin e shkuar nga shteti italian, pasi kishte kryer një dënim në burg. "Nga Shqipëria, Lamkja ka vazhduar të organizojë dhe të koordinojë trafikun e lëndëve narkotike përmes kontakteve të tij të forta më bashkëkombas të tij në vendet e Evropës Veriore. Që atje, përmes 'kanaleve' të tyre, sasi të mëdha kokaine dhe heroine mbërrinin në Itali, të destinuara veçanërisht për provincat e Lukës, Pistoias dhe Masas", bënin të ditur mediat italiane. Në përfundim të hetimeve janë arrestuar 20 persona, nga 30 të hetuar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë sekuestruar 32 kilogramë lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, 5 autovetura dhe 62 mijë euro kesh. Arrestimi i grupit të shqiptarëve ka qenë vetëm një pjesë e operacioneve antidrogë, të ndërmarra dje në vendin fqinj, që e kanë çuar shifrën e të arrestuarve në 100 persona në gjithë Italinë. Një operacion i kryer në orët e mëngjesit në Napoli ka prangosur 20 shpërndarës të klanit "Mazzarella". Ndërsa veç 20 shqiptarëve, 28 urdhër arreste të tjera janë ekzekutuar mes Siçilisë dhe Piemontit, kundër një rrjeti të shpërndarjes dhe shitjes së narkotikëve. ar.ba