E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: Dosja "Gërdeci", ruhet nga sekreti hetimor

 

TIRANE - Familjarët e viktimave të Gërdecit dhe të dëmtuarit nga kjo tragjedi, duket se do ta kenë të pamundur të marrin dosjen derisa ajo të jetë në hetim. Një ditë pasi disa prej familjarëve të viktimave të Gërdecit bënë padi në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar të njihen me dosjen penale të tragjedisë, Prokuroria tha se fashikulli mbrohet nga ligji për "sekretin hetimor". Organi i akuzës nuk komentoi mbi vendimin e gjykatës, por tha se edhe gjykata ashtu sikurse Prokuroria është e detyruar të zbatojë dispozitat për "sekretin hetimor", për sa kohë një çështje penale është në hetim. Pas padisë së bërë nga familjarët dhe të afërmit e viktimave të tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2008, gazeta u interesua në organin e akuzës, ku mësohet se dosja penale për këtë ngjarje është në hetim. "Për sa kohë Prokuroria nuk do të ketë deklaruar përfundimin e hetimeve në kuadër të kësaj dosje, të dhënat në përmbajtje të saj nuk mund t'i bëhen të ditura asnjë pale tjetër, veç personave të autorizuar nga ligji", thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, disa kohë më parë të afërmit dhe familjarët e viktimave dhe të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme para se të bënin padi në gjykatë. Edhe në këtë rast, përgjigjja ka qenë se të dhënat e dosjes nuk mund të ekspozohen derisa procedimi penal është në hetim. Sipas Procedurës Penale, publikimi i të dhënave të dosjes kur ajo është në hetim apo dhënia e tyre në dispozicion të personave të tretë të paautorizuar mund të dëmtojë procesin. Prokuroria tha se një dispozitë të tillë është e detyruar ta zbatojë në rastin e kërkesës që kanë paraqitur familjarët e viktimave të Gërdecit dhe personave të tjerë të dëmtuar nga kjo tragjedi. Dosja penale e tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2008 po hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme, për shkak të verifikimeve të nevojshme që po kryhen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Për shkak se ai gëzonte imunitet parlamentar, në momentin e nisjes së hetimeve ndaj tij, dosja i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë autorizim nga Kuvendi e më pas për të vijuar hetimet.                          tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›