Tenderi për certifikatat, Balla: Zogaj ka konflikt interesi
Tauland Balla akuzon Zogajn si të përfshirë në tenderin për certifikatat. Zogaj: Balla do përballet me drejtësinë
TIRANË- Tenderi për certifikatat është bërë objekt i një debati të ashpër gjatë seancës së djeshme parlamentare midis deputetit socialist, Tauland Balla dhe atij demokrat, Preç Zogaj. Të dy protagonistët e këtij debati kanë akuzuar gjatë njeri-tjetrin për shpifje, duke u shprehur të gatshëm, njëkohësisht, që këtë çështje ta zgjidhin në Gjykatë. Çdo gjë ka nisur nga një deklaratë e deputetit Zogaj, i cili duke marrë shkasë nga një prononcim i mëparshëm i deputetit Balla, ka hedhur poshtë çdo përfshirje të familjarëve të tij në tenderin publik për certifikatat. Kjo ka mjaftuar që edhe një herë gjatë seancës së djeshme, socialisti Balla të ripërsërisë deklaratën e tij se bashkëshortja e deputetit Zogaj është bashkëpronare në shtypshkronjën "Dita 2000", e cila sipas tij është edhe fituesja e tenderit të fundit të zhvilluar nga Ministria e Brendshme për certifikatat e reja. Kjo sipas Ballës përbën një rast flagrant, ku një deputet ndikon në mënyrë indirekte në përcaktimin e fituesit në një tender publik. "Një deputet i mazhorancës ka lidhje korruptive me një kompani që vazhdon të përfitojë tendera publikë si nga Ministria e Brendshme, ashtu edhe nga ajo e Arsimit. Ka një vendim të gjykatës i cili përcakton se kompania apo shtypshkronja në fjalë, midis të tjerëve, ka si bashkëpronare edhe bashkëshorten tënde",- u shpreh Balla, duke iu drejtuar Zogajt. Ai ka paraqitur dhe një sërë dokumentesh, të cilat sipas tij vërtetojnë lidhjet familjare të Zogajt me kompaninë në fjalë. Dokumente të cilat ia ka dorëzuar kryeministrit Sali Berisha, i cili nga ana e vet, duke ndërhyrë në këtë debat, ka garantuar se në lidhje me këtë çështje ai ka nisur investigimet dhe në rastin e parë që do të ketë në dorë përfundimet e tyre, do të marrë dhe vendimin përkatës për deputetin Zogaj. "Përsa i përket këtyre lidhjeve, kam ngarkuar njerëz të posaçëm për të bërë investigim. Në përfundim të tij, kur të kem dhe një raport për këtë çështje do të marr dhe vendimin. Nuk mund të them tani nëse bashkëshortja e deputetit në fjalë është apo nuk është bashkëpronare në këtë shtypshkronjë",- u shpreh Berisha. Por ndërhyrja e Kryeministrit nuk ka qetësuar vetë deputetin Zogaj, i cili i ka bërë të qartë Ballës, se për çdo akuzë të ngritur në Kuvend do të përballet në Gjykatë. "Z.Balla tha fjalën e tij dhe do të përballet në Gjykatë për atë që ka shprehur gjatë këtyre javëve në vazhdim, për këtë çështje. Parlamenti do të jetë dëshmitar i gjyqit, do të jetë dëshmitar i gënjeshtrës që Balla bën për hesap të të tjerëve. Duhet të jesh i gatshëm të përballesh në gjykatë kur të vijë ftesa sepse kompania ka depozituar në gjykatë kërkesën. Prit Gjykatën",- u shpreh Zogaj. Ai edhe një herë ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga deputeti socialist, duke sqaruar Kuvendin se që prej një viti, bashkëshortja e tij Drane Doda nuk është më bashkëpronare e shtypshkronjës "Dita 2000". Në respekt të ligjit për konfliktin e interesit, Zogaj ka bërë të ditur se, ka detyruar gruan e tij që të shesë 25 për qind të aksioneve që kishte në këtë shtypshkronjë.