E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket 20-vjeçarja, familja denoncon në polici



ELBASAN – Policia ka marrë një tjetër denoncim për humbje personi nga një familje në qytetin e Elbasanit. Një vajzë 20 vjeçe është larguar nga banesa e saj tri ditë më parë dhe nuk është bërë më e gjallë. Asnjë sinjal, asnjë telefonatë apo mesazh se ku do të shkonte. Pasi ka parë se vajza nuk është kthyer si zakonisht në shtëpi, familja Tabaku, banore e Elbasanit, ka bërë denoncimin në polici.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, vajza e zhdukur quhet Odeta Tabaku, lindur e banuese në lagjen “Dyli Haxhire”. Policia njofton se ajo është shpallur në kërkim dhe për këtë janë njoftuar edhe komisariatet e rretheve të tjera për të bërë të mundur gjetjen e saj. Denoncimin në polici e ka bërë vëllai i 20-vjeçares, Enkeli, i cili i është drejtuar komisariatit si e vetmja shpresë për gjetjen e motrës. Ai ka thënë se e motra ishte larguar nga shtëpia në datën 8 dhjetor në orën 15:00 dhe nuk është kthyer më, e as ka njoftuar se ku do të shkonte. Deri tani, policia nuk ka asnjë të dhënë tjetër rreth vajzës, vetëm sqaron se po kërkohet intensivisht.
Rastet
Ky është rasti i tretë brenda një kohe shumë të shkurtër që denoncohen njerëz të zhdukur në Elbasan. Ende asnjë gjurmë nga tregtari i veshjeve dhe as nga gruaja 25-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, që janë larguar gjithashtu pa gjurmë. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit deklaruan se kishte marrë një denoncim për zhdukjen e shtetases Sheqere Kurti. Shpallja në kërkim është bërë pas një kallëzimi të bashkëshortit të saj. Sipas këtij denoncimi, 25-vjeçarja është larguar nga banesa pa njoftuar se ku po shkonte dhe nuk është kthyer që prej tri ditësh. Policia bëri të ditur se po punon intensivisht për të gjetur 25-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve.

Metalurgët: “Grevë urie nëse nuk na plotësohen kërkesat”

BURREL - 110 metalurgët e uzinës së ferro-kromit në Burrel kanë deklaruar dje se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, ata do të hidhen në grevë urie. Po dje metalurgët kanë dërguar një peticion drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ku deklarojnë kërkesat e tyre, të cilat nëse nuk plotësohen para datës 16 dhjetor, kur është dhe dita e marrjes së rrogave të tyre, ata, përveç protestave që do të zhvillojnë në zyrat e ACR-së, firmës ruso-austriake që posedon Uzinën e Ferro-kromit në Burrel, më pas do të futen në grevë urie. Dy janë kërkesat kryesore të 110 metalurgëve të Uzinës së Ferro-kromit në qytetin e Burrelit. Ata kërkojnë rifillimin e punës pas disa muaj ndërprerje nga firma italiane që e kishte marrë në administrim uzinën e nënkontraktuar nga ruso-austriakja “ACR”, si dhe kërkojnë t’u jepen rrogat e 3 muajve, një mungesë kjo që ka futur në vështirësi jetesën e familjeve të metalurgëve.

Policia italiane godet sërish një grup trafikantësh, mes tyre edhe shqiptarë

Policia italiane është duke zhvilluar një sërë operacionesh për goditjen e grupeve mafioze. Në shënjestër të karabinierëve mësohet të jenë edhe shqiptarë. Është një grup i gjerë mafiozësh që kontrollojnë trafikun e drogës dhe të prostitucionit. Një numër i madh operacionesh antidrogë po zhvillohen këto ditë në Milano të Italisë. Mësohet se në shënjestër janë vënë shqiptarë, italianë, marokenë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, si dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas mediave italiane, janë një sërë operacionesh që synojnë të godasin mafien e Milanos.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›