Prençi dhe Beretoni diskutuan për luftën e përbashkët kundër trafikut të drogës
TIRANË - Policia shqiptare dhe ajo italiane do të konsolidojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit në luftën kundër drogës. Stefano Beretoni, drejtor i Përgjithshëm i Antidrogës Italiane, në një konferencë të përbashkët për shtyp dje në Tiranë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, tha se “ndodhet në Shqipëri jo për të krijuar raporte bashkëpunimi mes dy vendeve, sepse ato tashmë ekzistojnë prej shumë kohësh, por për të forcuar dhe konsoliduar këto marrëdhënie, që deri sot mendoj se kanë dhënë frytet e tyre në luftën kundër këtij armiku të përbashkët, trafikut të lëndëve narkotike”. Italia ka një eksperiencë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të lëndëve narkotike, dhe drejtori Beretoni garantoi, në konferencën e përbashkët për shtyp, “gjithë mbështetjen e palës italiane nga ana teknike dhe ajo e trajnimit për strukturat e Policisë shqiptare, të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”. Nga ana e tij, drejtori Prençi siguroi drejtorin e Antidrogës italiane për angazhimin maksimal të Policisë Shqiptare për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, i cili ka njohur rezultate pozitive kohët e fundit kundër grupeve kriminale të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, që vepron në këto dy vende. Z. Prençi vlerësoi palën italiane për ndihmën e dhënë në trajtimin e personelit, ndihmën me mjete të teknologjisë dhe logjistikës, si një element tepër i rëndësishëm në finalizimin e operacioneve antidrogë. Stefano Beretoni, drejtor i Përgjithshëm i Antidrogës Italiane, ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
11 Dhjetor 2008