Patentat false, Antikrimi prangosi 11 persona
Tiranë – Një operacion i Zyrës së Antikrimit Ekonomik ka vënë në pranga policë rrugore dhe komisionarë për testimin e patentave. Deri tani 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale së Transportit Rrugor në kryeqytet, një polic dhe 6 persona që kishin lidhje indirekte me zyrtarët janë arrestuar sot me akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv nga Antikrimi Ekonomik.
Operacioni
Rreth orës 19:00 të ditës së djeshme operacioni i Antikrimit Ekonomik dhe Task-Forcës së Prokurorisë përfundoi me prangosjen e 11 personave. Policia e Shtetit bëri të ditur emrat e zyrtarëve dhe të një polici të prangosur. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, janë arrestuar: Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat); S. Memia, arkiviste në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë; B. Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të automjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh te kontrolli teknik i automjeteve (kolaudimet); Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkolës “Majestik”; E. Shano bashkëpronare; F. Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet; Adrian Rushiti; Liman Doka dhe Sh. Marashi, sekserë dhe falsifikatorë. Në pranga ka rënë edhe Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit 4 të Policisë së Tiranës. Po sipas Policisë së Shtetit, akuzat e formuluara ndaj tyre janë për korrupsion aktiv e pasiv të personave që kryejnë shërbime publike dhe në sektorin privat. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente, si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Hetimi
Efektivët e policisë kishin disa muaj që po hetonin personat e vënë sot në pranga. Kishin lindur dyshime se personat e mësipërm abuzonin me detyrën dhe pajisnin me patenta persona që nuk plotësonin kriteret. Pajisja me patenta bëhej kundrejt shumash të mëdha parash. Nga zyrat e Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, kontrollet e policisë janë shpërngulur në banesat e personave të prangosur. Policia tregohet e rezervuar për detaje rreth operacionit qe po vazhdon ende dhe që numëron deri tani 10 persona në pranga.
Mungon mbrojtja, dështon seanca për ngjarjen në Qafë Gjashtë
TIRANË - Mungesa e avokatëve mbrojtës në Gjykatën e Krimeve të Rënda është bërë shkak të mërkurën për dështimin e seancës së radhës ndaj të pandehurve për ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vra punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe u plagosën disa të tjerë. Në seancën e djeshme, ku ishte parashikuar të dëgjoheshin disa dëshmitarë të prokurorisë, nuk ishte i pranishëm një nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të pandehurve. Në këto kushte, Gjykata vendosi të pezullojë procesin për ta zhvilluar atë në ditët e ardhshme. Si autorë të dyshuar për ngjarjen në Qafë Gjashtë janë shtetasit Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa. Këta persona akuzohen ndër të tjera për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" ndaj punonjësit të policisë, të kryer në bashkëpunim. Shumë prej tyre u arrestuan një vit më parë, në një operacion të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, për të dokumentuar ngjarjen e ndodhur 11 vjet më parë në Sarandë, prokuroria ka siguruar shumë dëshmitarë, të cilët pritet të dëshmojnë para gjykatës ditët në vijim. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën në verën e vitit 2005 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pas tre vjet hetimesh ka dërguar çështjen për shqyrtim.
Një ekspozitë arti me punimet artizanale të të dënuarve
TIRANË - Punime të ndryshme artistike dhe artizanale të përgatitura nga të dënuarit u prezantuan dje paradite në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, në ekspozitën me temë “Ekspoze vlerash njerëzore". Të dënuar që vuajnë dënime në burgjet nga i gjithë vendi prezantuan punime të shumëllojshme si makete, piktura, objekte e punime dekorative, kryesisht në dru, veshje, por edhe aksesorë, të përgatitura për gjatë një viti. Përfshirja e personave me liri të kufizuar në të tilla aktivitete është pjesë e objektivave dhe vizionin e sistemit të burgjeve për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre, deklaruan drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në fund të aktivitetit, organizatorët ndanë çmime për punimet më të mira. Në këtë aktivitet, që u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Burgjeve si dhe organizatave që merren me kujdesin për personat e privuar nga liria.
Pranga dy të rinjve, goditën me grushte policët e Patrullës së Përgjithshme
Tiranë – Dy të rinj janë vënë në pranga me akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj dy punonjësve të Policisë. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve Altin Pishaj, vjeç 30 dhe Leonardo Krasniqi, vjeç 25, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi akuzohen se më datë 09.12.2008, në orën 02:00, në rrugën “Llambi Bonata”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar duke ushtruar dhunë dhe goditur për shkak të detyrës, duke qenë në shërbim, dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë, për veprat penale “kundërshtim duke ushtruar dhunë fizike në bashkëpunim ndaj punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “goditjes për shkak të detyrës”.
Krimet e Rënda do të pyesin si dëshmitar Jasim Kadinë
Tiranë - Krimet e Rënda do të përcaktojnë pyetjet për Yasim Kadinë, të cilat do të dërgohen nëpërmjet letër-porosisë. Gjatë seancës së djeshme mbrojtja dorëzoi 22 pyetje që duan t’i drejtohen Kadisë. Ndërkohë kolegji penal do të vendosë se cilat pyetje do të pranohen për t’u dërguar më pas drejt Jordanisë. Përfaqësuesi i akuzës u shpreh se në seancën e ardhshme do të sjellë pyetjet për dëshmitarin e thirrur nga mbrojtja. Dosja në të cilën i pandehur është vetëm Hamzeh Abu Rajan pas kësaj dëshmie pritet të kalojë në një tjetër fazë shqyrtimi. Abu Rajan akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për fshehje të fondeve dhe pasurive ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit. Mbi Hamzeh Abu Rajan fillimisht u ngritën akuzat për veprat penale të financimit të terrorizmit dhe atë të fshehjes së fondeve të pasurive të tjera që financojnë terrorizmin të parashikuara përkatësisht në nenet 230a, 230b të Kodit Penal. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave më 10 gusht të vitit 2006 ka bërë kallëzim në ngarkim të shoqërisë “Lloxhall” sh.p.k me administrator jordanez Hamzeh Abu Rajan.
11 Dhjetor 2008