E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikanizmi fals i politikanëve shqiptarë dhe Krishtlindjet

Nga Fitim Zekthi

Është ditë Krishtlindjesh, e ftohtë, e bukur dhe e mbushur me shpresën 2000-vjeçare të shëlbimit dhe të një jete më të mirë. Zabullima e përhershme e politikanëve në ditë të tilla nuk është më një e re, madje as bezdi. Neveria për politikanët erdhi e u bë e pranishme në këtë ditë, pasi televizioni Top Channel ishte kujdesur që t’i jepte një përmasë të dhimbshme dhe domethënëse kësaj feste. Në burgjet shqiptare, përpos shumë nënave e gjysheve, gjendej edhe një 75-vjeçare, e cila ishte dënuar me 5 vite për mbjellje hashashi dhe që kishte lënë në shtëpi vetëm dy nipër jetimë. Fiziku i saj i rrëgjuar nuk kishte mundur ta pengonte atë të ruante katër portokalle për dy nipërit jetimë në shtëpi. Nuk e di cilët gjyqtarë e kanë dërguar në qeli këtë nënoke, por di që nuk mund të ketë ligj në botë që jep vendime që bëjnë me turp gjithë qytetarët dhe gjyqtarët e këtij vendi. Kjo është thjesht e padiskutueshme. Nuk e di se si Shqipëria mund të shkojë në Krishtlindje kaq në ngashërim, teksa parlamenti ka gjetur kohë të flasë netëve, gjatë, banalisht, për shpërndarjen e parave që qeveria nuk ka investuar apo për dokrra të tjera me arritje dhe saora nuk ka patur asnjë grimë në mend se ai ka të drejtë të miratojë edhe amnisti për të burgosur që janë në këtë gjendje. Është e pakuptueshme se si presidenti nuk ka parë mundësinë të falë të burgosur të kësaj natyre. Në këtë vendin tonë, ku dihet botërisht se lihen kriminelë rrugëve dhe vjedhës e mashtrues me pushtet (me vendime gjyqi dhe pa vendime gjyqi), ligji e ka të pamundur të lejojë dërgimin e katër portokalleve në shtëpi për dy kërthinj jetimë në Krishtlindje (Drejtoria e Burgjeve nuk i ka dhënë as leje të shkojë te nipërit për festa). Sali Berisha i kishte mbuluar festimet e PD ditë më parë me skenografi amerikane. Këtë e bën, edhe kur del dhe pret shirita rrugësh. Edi Rama shkoi edhe më tej duke sajuar vullnetarë në përpjekje për t’u dukur sa më amerikan. Nëna 75 vjeç në burg është dëshmia e falsitetit të tyre. Nuk është, në fakt, çështja thjesht e kësaj nëne, ajo nuk është e vetme. Padrejtësia është aq e përhapur, sa njerëz të pafuqishëm si ajo dergjen në burgje dhe madje bëhen shembull i luftës së madhe kundër korrupsionit dhe trafikut. Megjithatë, këtyre “amerikanëve” tanë në pushtet dhe në opozitë kjo iu është e paqenë. Zimbabve ka marrë gjithë vëmendjen e botës këto ditë për shkak të krizës së thellë humanitare atje (kolera dhe varfëria po bën plojë). Tërë bota ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Mugabe. Ai në mënyrë spektakolare tha se Zimbabve është e imja (e tha edhe në anglisht, madje). Shqipëria nuk ka krahasim me atë vend, por çinteresi i skajshëm ndaj asaj që ndodh në shtëpitë shqiptare, në shkollat, spitalet dhe burgjet nuk i shpëton një lidhje me atë deklaratë. Në një intervistë në një radio disa kohë më parë presidenti i ri Obama tha se kriteri më i qenësishëm me të cilin ai do të përzgjedhë gjyqtarët do të ishte ndjeshmëria. “Gjyqtarët duhet ta dinë, - tha, - se ç’do të thotë të jesh nënë me fëmijë dhe pa burrë, ç’do të thotë të jesh nënë në moshë të re, ç’do të thotë jesh me ngjyrë, të jesh i varfër etj.” Pandjeshmëria i ka kthyer në makina të synimit personal gjyqtarët dhe politikanët dhe këtë e gjen kudo, e gjen edhe te katër portokallet e 75-vjeçares për nipërit jetimë. Meqë jemi tek amerikanizmi, një shembull i pashembullt vjen nga Konventa e demokratëve në 2004, ku Obama në fjalimin e tij tha se, “nëse ka një fëmijë që nuk di të lexojë në lagjet e varfra, ky është shqetësim për mua, pavarësisht se nuk është fëmija im. Nëse ka një të moshuar që nuk mund të paguajë dot ilaçet dhe mjekun, kjo e bën jetën time më të varfër, pavarësisht se ai nuk është gjyshi im. Nëse ka një familje që nuk paguan dot avokat për të patur një gjyq të drejtë, kjo kërcënon lirinë time”. Ky është amerikanizmi dhe jo vullnetarët apo pankartat dhe skenografitë që fshehin dhimbjen në këtë vend. Në fakt, fshehin edhe vjedhjet, edhe turpin, edhe krimin. Sa fëmijë nuk lexojnë, a ka folur për këtë qeveria dhe ministri i Arsimit? Sa të moshuar nuk paguajnë dot mjekimin? Sa njerëz bien në thikën e gjyqit të padrejtë? Është Krishtlindje dhe në këtë ditë më shumë se kurrë duhet menduar për kësi gjërash. Por duhet ndjeshmëri dhe ajo gjendet te njerëzit. Politikanët dhe ata që qeverisin gjykatat e prokurorinë duan me doemos ta zbojnë veten nga kjo kategori e mrekullueshme, për shpresën dhe shëlbimin e të cilëve Krishti lindi. Këtë vit beteja e Krishtlindjeve përfundoi. Krishtlindjet humbën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›