Flamuri propozon zëvendësimin e simboleve komuniste perëndimore me shqiptare
Antena brenda familjes
Flamuri ka humbur lidhjet me atë burrin. Ai ka tri ditë që nuk e merr në telefon dhe nuk i kthen përgjigje. Gjithë puna dyditore e Flamurit thuajse ka shkuar dëm. As e ka telefonuar dhe as ka konfirmim që ka marrë raportin e tij për lëvizje të dyshimta properëndimore në PD. Tri herë ka pyetur dje sekretaren e atij burrit, a e mori ai letrën, dhe s’ka përgjigje.
I mërzitur vendosi të bëjë disa propozime të reja. Mendoi të përdorë Këshillin Bashkiak si tribunë ku të shprehë pikëpamjet e veta. Dhe aty ka plot vetë që duhen testuar, tha me vete.
Me të thënë e me të bërë. Thirri urgjent mbledhjen e këshilltarëve demokratë dhe si komisar i grupit mbajti fjalimin e rastit.
Tani dua të them ca gjëra të rëndësishme që ju i keni dëgjuar ndoshta rrugëve, por që duhet të jeni të informuar.
Ju e dini, tha, se prishja me disa miq perëndimorë është e pashmangshme. E dini besoj se e kam fjalën për administratën e SHBA. Ai burri është nxehur me një zv/ministër që kanë ata atje. Së pari, ata kanë bërë shumë gabim që ulin rangun dhe vënë një zëvendësministër të marrë në telefon kryeministrin tonë. Pavarësisht në je shtet i madh apo i vogël, protokolli është protokoll dhe, nëse ata kanë diçka për t’i thënë, duhet ta marrë vetë kryeministri që atje është president. Mirë kjo që s’ka ndodhur, por s’mund të ndodhë që të të marrë një copë zëvendësministër apo ndihmëssekretar Shteti si i thonë ata dhe të të japë dhe mendje. Ky burri i ka treguar vendin dhe ata janë nxehur. Tani ju e kuptoni se nxehja e tyre s’ka arsye parimore, por personale. Ata nuk e duan këtë burrin dhe bëjnë sikur nxehen me ligjin e dosjeve. Por unë them se ne duhet të reagojmë dhe t’u tregojmë vendin. Jo vetëm atyre, por dhe aleatëve të tyre. Ju duhet ta dini si britanikët për shembull, janë bashkëpunëtorë të komunizmit, sepse ata bashkëpunuan me Stalinin në mënyrën më të hapur të mundshme. Për pasojë ata legjitimuan jo vetëm krimet e tij, por të gjithë stalinistëve në Evropën Lindore. Çurçilli s’është gjë tjetër veç një figurë e dyshimtë. Pastaj, ajo tendenca e tij për fjalime të gjata dhe pompoze duket sikur është imituar jo keq nga Fidel Kastro.
Francezët? Ah këta francezët! Këta s’kanë të drejtë të hapin gojë fare për komunizmin, se ata u dhanë formë komuniste ideve socialiste, me të cilat infektuan botën grekët e lashtë, Platoni. Shikoni dhe këta frankofonët që kemi ne, të gjithë të pasigurt janë. E dredhin sa andej-këtej. Në emër të grupit të këshilltarëve të PD unë do të propozoja në mbledhjen e radhës të bëjmë disa propozime për ndryshime emra rrugësh në shenjë dekomunistizimi të vendit. Dhe duhet t’i provokojmë jo pak.
P.sh., unë them që rrugës “Komuna e Parisit” t’i hiqet emri. Revolucion për revolucion, pse mos të kemi simbolet tona. S’kemi pse kemi simbole komuniste franceze në rrugët tona.
Ndërhyri Zana Guxholli.
- Aty janë të strehuar më shumë njerëz të ardhur nga jugu pas rebelimit komunist të 1997. Më mirë t’i vëmë ndonjë emër komunist nga tanët. P.sh., t’ia vëmë “Kongresi i Përmetit”, - tha ajo.
- Ka një rrugë “Kongresi i Përmetit”, - u kujtua Ferdinand Poni. - Komunist për komunist, pse mos t’ia vëmë “Plenumi i Beratit”, se u bëhet qejfi dhe atyre në Berat.
- Dakord, tha Flamuri. - Ti Poni, po qe se mbarove, dil pak jashtë të punojmë të qetë.
Propozimin e dytë e bëri prapë Flamuri. Them t’ia heqim emrin rrugës “Zhan D’Ark” tha dhe t’ia vëmë “14 shtatori”. Kryengritje për kryengritje, pse mos të kemi tonat. U mbyll pa debat. Mbaruam punë me francezët.
Amerikanët? Këta s’marrin vesh nga komunizmi fare. Ata dënuan me vdekje si komunistë dy qytetarë amerikanë, ndërkohë që në Amerikë s’kishte Parti Komuniste anëtarë të së cilës ata mund të ishin. Dhe jo vetëm kaq, vjet në Nju-Jork u ngrit një përmendore për nder të viktimave të komunizmit, kur dihet që komunizmi nuk ka qenë ndonjëherë në pushtet në Amerikës dhe për rrjedhojë nuk ka kryer krime në atë vend. Unë them t’i propozojmë atij burrit të nisë një notë proteste, pse amerikanët përzihen në punë të komunizmit, kur s’e kanë provuar. Ata duhet të heqin monumentin që nderon viktimat e komunizmit. Se kështu nuk kuptohet kush ka vuajtur dhe kush fiton nga vuajtjet, e mbylli fjalimin Flamuri.
Mes këshilltarëve ra heshtje varri. I vetmi që prishi qetësinë ishte Poni që zgjati kokën te dera e zyrës dhe kërkoi leje të hynte brenda. Kaq mjaftoi dhe të gjithë brofën në këmbë duke bërtitur mbledhja mbaroi.