E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Femrat shqiptare nuk dinë të parandalojnë shtatzëninë



Studimi: Vetëm 8% e popullatës shqiptare përdor kontraceptivë

Mjekët: Gratë, të painteresuara për të parandaluar shtatzëninë

Femrat shqiptare nuk dinë të parandalojnë një shtatzëni të padëshiruar ose të paktën nuk njohin metodat moderne të kontraceptivëve, përveç mënyrës tradicionale. Një sondazh i kryer së fundmi tregon se 96% e femrave të dala nga materniteti kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjë lloj informacioni mbi planifikimin familjar, dhe në këto kushte nuk janë në gjendje të gëzojnë jetë të shëndetshme seksuale apo qoftë edhe të paraprijnë një shtatzëni të padëshiruar.

Studimi

Ky fakt reflektohet edhe në studimin e ISHP-së, i cili evidenton se kontraceptivët përdoren vetëm nga 8% e popullatës shqiptare. Për herë të parë, në vend po trajnohen të gjithë mjekët pediatër në lidhje me shpërndarjen e njohurive mbi planifikimin familjar. Kjo, për një arsye të vetme.

Gratë shqiptare shkojnë shumë rrallë tek gjinekologu, e në konsultoret e tyre për të marrë informacionin mbi planifikimin, në këto kushte është parë e udhës që ky informacion t'u shërbehet atyre në konsultoret e fëmijëve, nga mjekët pediatër. Sipas mjekëve, arsyeja për të parandaluar një shtatzëni të njëpasnjëshme ka të bëjë me çrregullimin e sistemit hormonal e biologjik në trupin e gruas.

Për këtë fakt rekomandohet që një shtatzëni nuk duhet të ndodhë minimalisht 6 muaj pas lindjes së parë. Specialistët deklarojnë se ushqyerja vetëm me gji e fëmijës përgjatë 6 muajve të parë të jetës, mbron nga shtatzënia e padëshiruar nënën në 98% të rasteve.

Mjekët

Ndërkohë që shërbimet në fushën e planifikimit familjar janë ngritur pranë materniteteve në Tiranë, roli që luajnë ato është ende larg nivelit të duhur. Në të gjitha qendrat e këshillimit të grave mund të gjesh shumë mënyra për t'u mbrojtur nga një shtatzëni e padëshiruar. Vetë mjekët e këtij shërbimi pohojnë se është ende i ulët interesi i grave për të mësuar mbi planifikimin familjar dhe metodat për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar. Mjekja gjinekologe A. M. shprehet se: "Një nga mënyrat për të parandaluar shtatzëninë është edhe ardhja në këto qendra ku mund të konsultohesh me mjekun përkatës mbi mënyrat. Gjithashtu është edhe metoda e injeksionit. Është me efektivi dhe më i sigurti. Të gjitha gratë dhe vajzat e reja mund ta marrin këtë injeksion pranë këshillimorëve të grave, një herë në tre muaj. Kjo, duke respektuar datat e fillimit të injeksionit". Ky injeksion bëhet në pjesën intravenoze të trupit dhe ndryshe quhet me emrin gjilpërë. Emri i saj i vërtetë është Depo Provera dhe përmban hormonin e progesteronit, i cili gjendet në të njëjtën kohë edhe në trupin e gruas. "Ky kontraceptiv është shumë i sigurt dhe efekti i tij fillon që në momentin e bërjes së injeksionit", - shprehet specialistja. Është mjaft e lehtë për t'u përdorur edhe nga vetë gratë dhe nuk ndikon gjatë marrëdhënies seksuale në çift, parandalon shtatzëninë dhe nuk ndikon aspak te nënat me fëmijë.

Parandalimi

Planifikimi familjar ka të bëjë me mirëqenien e femrave dhe familjeve. Përdorimi i kontraceptivëve ndihmon në parandalimin e shtatzënësive të padëshiruara dhe krijimin e hapësirës mes lindjeve; mbron nga infeksionet me bartje seksuale, përfshirë HIV/AIDS, dhe ka përfitime të tjera të shumta. Përmes planifikimit familjar në mënyrë të sigurt zgjidhni numrin e fëmijëve dhe kohën më të përshtatshme. Planifikimi familjar ka përfitime të shumta.

Disa femra kanë nevojë për shërbime të veçanta të planifikimit familjar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Disa grupe femrash, posaçërisht adoleshentet dhe femrat mbi moshën 35 vjeç kanë nevoja të veçanta. Ekziston edhe kontracepsioni emergjent që është mjaft efektiv për mbrojtje kundër shtatzënisë së padëshiruar pasi të keni pasur marrëdhënie seksuale të pambrojtura.

Çfarë ndihmon kontracepsioni

Kontraceptivët janë ndër metodat medikamentet që përdoren për t’u mbrojtur nga shtatzënia e padëshirueshme apo dhe nga STDS (sëmundjet seksualisht të transmetueshme). Kontracepsioni është mënyra si ta pengoni shtatzëninë dhe të mbroheni nga sëmundjet të transmetuara seksualisht.

-ai ndihmon që të mbroheni nga shtatzënia e padëshiruar

-të mbroheni nga sëmundjet të transmetuara seksualisht

-ajo që mund të ndodhë edhe gjatë eksperiencës së parë seksuale

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›