E Shtunë, 31 Tetor 2026

Status për qendrat e fëmijëve të ngujuar



Qendra rezidenciale e shërbimeve sociale për fëmijët e ngujuar, e cila administrohet nga Shërbimi Social Shtetëror, tashmë ka statusin e një institucioni kombëtar dhe ka përgjegjësi për fëmijët që vuajnë pasojat e gjakmarrjes në rang vendi.

Shërbimit Social Shtetëror bëri të ditur se statusi i kësaj qendre kombëtare për fëmijët e ngujuar shkon paralelisht me reformat e sistemit të mbrojtjes sociale të fëmijëve, përmes të cilave një vëmendje e veçantë po i kushtohet mbështetjes dhe përkujdesit për fëmijët e rrezikuar nga ngujimi dhe gjakmarrja.

Qendra e përkujdesit social për fëmijët me probleme gjakmarrje u ngrit tre vjet më parë me mbështetjen e Bankës Botërore në kuadër të projektit "Shpërndarja e Shërbimeve Sociale". Ajo funksionon mbi bazën e marrëveshjes së lidhur në vitin 2006 midis Njësisë së Menaxhimit të Projektit (MPCSSHB) dhe shoqatës "Për edukim arsimor e social të fëmijëve të ngujuar e në nevojë", e cila menaxhon këtë qendër.

Sipas SHSSH-së, në këtë qendër rezidenciale, vendndodhja e së cilës nuk bëhet publike, trajtohen gjithsej 20 fëmijë, nga të cilët 7 vajza dhe 13 djem të moshës 6-14 vjeç. Fëmijët përgjithësisht janë vëllezër dhe motra nga komunat e Shkodrës si Curraj i Epërm, Dukagjin, Shosh, Shalë, Gjinaj si dhe lagjet rreth qytetit Shkodër, Kiras dhe Postribë.

Për të siguruar jetën e fëmijëve, godina ruhet nga personeli i Policisë së Shtetit dhe fëmijët shoqërohen për vajtje-ardhje në shkollë. Në qendër ofrohet akomodim, veshje, ushqim, kujdes mjekësor, programe për zhvillimin dhe socializimin e fëmijëve, aktivitete social-kulturore dhe mbështetje për ndjekjen e shkollës. Qendra vlerësohet të ketë një kapacitet për afro 100 fëmijë që mund të vijnë nga zona e Shkodrës dhe rrethe të tjera me probleme të gjakmarrjes.

Me mbështetjen e UNICEF-it dhe donatorëve të tjerë, në disa qytete dhe qarqe aktualisht janë ngritur Zyrat për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm edhe në drejtim të trajtimit të fëmijëve që rrezikohen nga gjakmarrja.

Në kuadër të përmirësimit të ligjit për ndihmën ekonomike, parashikohet trajtimi i veçantë edhe për familjet të cilat janë të ngujuara për shkak të gjakmarrjes. Po kështu, masa të tjera do të merren për lehtësimin e shkollimit të fëmijëve që rrezikohen nga gjakmarrja. Falë këtyre masave numri i fëmijëve të ngujuar po zvogëlohet vazhdimisht. Sot në të gjithë vendin numërohen 87 fëmijë të ngujuar, kryesisht në Shkodër dhe Malësi e Madhe.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›