E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, asnjë baywatch në bregdet

DURRES - Pushuesit e plazhit të Durrësit ndjehen të rrezikuar, pasi në bregdet janë "zhdukur" rojet bregdetare. 

Në këtë mënyrë një ditë pushimi për frekuentuesit e këtij plazhi, sidomos për prindërit më shumë se argëtim do të thotë stres. Në çdo moment ata duhet të tregojnë një kujdes të veçantë për fëmijët ose të moshuarit, të cilët mund të rrezikohen në det nga shkaqe të ndryshme. E njëjta situatë vihet re edhe në plazhin e Golemit. Drejtuesit e komunës së vogël ashtu sikurse edhe krerët vendorë të Durrësit nuk kanë asnjë projekt për sigurinë e pushuesve. Informacioni konfirmohet nga kreu i komunës Agron Agalliu. Gjithçka ndodh për mungesë financimi. Ndërsa në plazhin e Durrësit, situata paraqitet në një tjetër formë. Në një rreze prej 8 kilometrash nuk vihet re asnjë person, që të japë alarmin për rastet e rrezikut të mbytjeve në bregdet. Vitin e kaluar në Durrës u ngritën pesë kulla vrojtimi, por vështirësia ka konsistuar në gjetjen e rojave bregdetare, pasi vullnetarët nuk janë dukur më. Ata kërkojnë para për të bërë punën. Tashmë kullat janë të braktisura, pasi personeli i notarëve të trajnuar nuk u gjet dot për verën 2008. Në këto kushte këto kulla, duke qenë jashtë funksionimit kanë filluar të shkatërrohen. Drejtues të Bashkisë së Durrësit pranojnë shqetësimin e pushuesve, por shtojnë se nuk ka fonde për pagesën e rojeve bregdetare, duke e lënë në harresë projektin e trumbetuar me të madhe verën e shkuar.                o.u

Bllokohen 8 mjete lundruese

Policia kufitare e Shkodrës bllokoi dje 8 mjete lundruese me motor, të cilat lëviznin në mënyrë të kundërligjshme në plazhin e Velipojës. Në operacionin e koduar "Deti i Pastër" që zgjati gjatë gjithë paradites, morën pjesë rreth 30 forca policie, 5 mjete lundruese që patrulluan të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare dhe tri makina të policisë që qarkulluan përgjatë bregut të detit. Policia kufitare bëri një krehje të gjithë vijës bregdetare prej 15 kilometrash, nga Velipoja në Shëngjin. Mjetet e bllokuara ishin varka të ndryshme me motor, motorë uji e mjete të ndryshme lundruese, një pjesë e të cilave ishin në kundërshtim me ligjin antiskaf të miratuar nga qeveria vite më parë.                         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›