E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Islandës kthen në punë tre krerët e shtetit shqiptar



Kryeministri i Islandës, Geir H. Haarde, do të nisë sot një vizitë dyditore zyrtare në Shqipëri. Në axhendën e tij janë parashikuar gjatë ditës së sotme takime me të tre krerët e shtetit shqiptar, me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit si dhe me Presidentin e Republikës, i cili prej mëse një muaji ndodhet me pushime. Kryeministri i Islandës ka mbërritur mbrëmë në Tiranë në orën 24:00. Ndërsa sot në 9:35 do të zhvillohet ceremonia e pritjes së kryeministrit të Islandës në ambientet e Kryeministrisë. Më pas dy kryeministrat, ai i Islandës dhe kryeministri shqiptar Berisha, do të zhvillojnë një takim kokë më kokë dhe më pas do të zhvillohen bisedimet midis dy delegacioneve. Rreth orës 11:30 do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy vendeve si dhe do të mbahet një konference e përbashkët për shtyp. Rreth mesditës kryeministri i Islandës do të pritet në një takim të veçantë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Më pas ai do të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi në Pallatin e Brigadave. Më tej do të marrë pjesë në drekën e posaçme të shtruar për nder të kryeministrit islandez.
Po gjatë ditës së sotme kryeministri i Islandës do të vizitojë Muzeun Kombëtar dhe do të marrë pjesë në pritjen e dhënë nga Konsulli i Nderit të Islandës. Ndërsa në mbrëmje do të marrë pjesë në darkën e dhënë nga kryeministri Berisha. Gjatë ditës së mërkurë kryeministri islandez do të zhvillojë një vizitë në Varrezat e Dëshmorëve dhe një tjetër vizitë në Muzeun Arkeologjik në Durrës. Rreth orës 14:30 të ditës së mërkurë kryeministri islandez do të përfundojë vizitën e tij në Shqipëri.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›