E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Topalli takojnë drejtorin e fondacionit “Adenauer”



Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me përfaqësues të fondacionit të mirënjohur gjerman “Konrad Adenauer”, i përfaqësuar nga drejtori për Europën dhe Amerikën e Veriut, Thomas Kunze. Pasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha i shprehu doktor Kunzes mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që fondacioni “Kondrad Adenauer” ka dhënë në transformimin dhe në forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri e në rajonin e Europës Juglindore. Kryeministri theksoi mirënjohjen e thellë të shqiptarëve dhe qeverisë shqiptare për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë për ndihmën gjermane për frymë në botë. Doktor Kunze, nga ana e tij, e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve të fundit në të gjitha aspektet. Ai vlerësoi ftesën që Shqipëria mori për anëtarësim në NATO, si një arritje madhore të Shqipërisë, dhe një sukses të madh të qeverisë shqiptare. Kryeministri e njohu delegacionin e fondacionit “Konrad Adenauer” me reformat e ndërmarra dhe arritjet e qeverisë shqiptare, në fushat e luftës kundër krimit, korrupsionit, krijimit të klimës së favorshme për biznesin, zhvillimin e ekonomik me ritme të shpejta, sjelljen e Shqipërisë në moshën dixhitale. “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, dhe investitorët gjermanë do të gjejnë mbështetjen maksimale për investimet e tyre në Shqipëri”, - u shpreh kryeministri. Duke shprehur vlerësimin e tij për arritjet e mëdha të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe trevjeçare, Kunze i shprehu kryeministrit Berisha dëshirën dhe gatishmërinë e fondacionit “Konrad Adenauer” për të intensifikuar aktivitetin e tyre në Shqipëri, dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në shumë fusha. “Gjatë këtyre viteve të fundit Shqipëria është shndërruar tërësisht dhe gjithnjë e më shumë ofron pamjen e një vendi perëndimor, prandaj ne dëshirojmë të jemi shumë më aktivë në vendin tuaj”, - u shpreh Kunze. Ai theksoi më tej se po e presin me kënaqësi të veçantë vizitën e kryeministrit Berisha në Gjermani, dhe takimin që ai do të ketë me kancelaren Merkel, si një ngjarje të rëndësishme që do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet midis dy qeverive dhe te dy vendeve. Kunze u prit dje në një takim të veçantë dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›