Shpërthen bombola e gazit, digjen bashkëshortët që mbillnin fidanë
05/01/2009 BERAT- Një zjarr i shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi për pak sa nuk i ka marrë jetën një çifti fermerësh në një fshat të rrethit të Beratit. Ngjarja e rëndë mësohet se ndodhi në orët e para të datës 1 janar në fshatin Hoxhaj të komunës Vërtop të këtij rrethi. Çifti Arian dhe Flutura Rome mësohet se kanë përfunduar në spital me plagë të mara nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Një sobë gazi për ngrohje mësohet se ishte vendosur nga çifti fermerë në bodrumin e banesës për ngrohjen e fidanëve të perimeve. Çifti kishte gjetur këtë mënyrë për të rritur fidanët e perimeve me qëllim mbjelljen e tyre me afrimin e ditëve të ngrohta. Mësohet se ata kishin vendosur gjatë natës sobën me gazë për ngrohjen e bimëve dhe mëngjesin e datës 1 janar ishin futur në bodrum për të parë bimët. Soba me gaz ishte fikur gjatë natës dhe në tentativë për rindezjen e saj si pasojë e rrjedhjes së gazit dhe çlirimit të tij në ambientet e bodrumit ka ndodhur shpërthimi. Si rezultat, bashkëshortët Rome ka pësuar djegie të rënda në trup. Arian Rome, 33 vjeç, dhe bashkëshortja e tij 34-vjeçe Flutura mësohet se rreth orës 9:00 të mëngjesit të 1 janarit kanë përfunduar në repartin e kirurgjisë në spitalin e Beratit me plagë të rënda në trup. Burime pranë këtij spitali bëjnë të ditur se pacientët janë paraqitur me plagë të rënda në trup si pasojë e djegieve të shumta. Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore pranë këtij reparti dhe janë dërguar për ndihmë më të specializuar pranë repartit të djegieve në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar më pas dhe ekspertët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për të mësuar shkaqet e këtij shpërthimi. Pas hetimeve të para ata deklaruan se shpërthimi kishte ndodhur si rezultat i derdhjes dhe çlirimit të gazit në ambientet e bodrumit. Gjatë kohës që soba ka qenë e ndezur mësohet se ka pasur rrjedhje të gazit të lëngshëm, që është përhapur në ambientet e bodrumit. Në kohën që bashkëshortët kanë tentuar të rindezin sobën me gaz, ka ndodhur dhe shpërthimi që shkaktoi djegien e tyre.