E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysma e vendit nën izolim, reshje bore dhe stuhi

05/01/2009  I gjithë vendi është përfshirë nga të ftohtët ekstrem. Reshjet e dëborës bllokojnë komunat e Veriut

Më problematike paraqitet situata në qarkun e Kukësit. Izolohen gjithë komunat e thella

Moti i keq në fillim të vitit 2009 ua ka zbehur paksa gëzimin e festave banorëve, sidomos atyre të Veriut e Verilindjes së vendit. Nga reshjet e dëborës, që filluan rreth 48 orë më parë, janë bllokuar një sërë fshatrash të thella malore. Ajo çka ka paraqitur dhe problem ka qenë vështirësia në lëvizje në të gjitha rrugët e vendit që nga Jugu në Veri. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme, në Qarkun e Kukësit ka pasur reshje intensive bore, të shoqëruara me erë të fortë dhe me temperatura të ulëta deri në -8 gradë C. Për pasojë qarkullimi rrugor është mjaft i vështirë, pasi trashësia e borës ka arritur 50-60 cm. Në aksin rrugor nacional Fushë-Arrëz–Qafa e Shllakut–Kukës–Morinë bora ka arritur deri në 1 m trashësi në zonat e thella malore. Ndërkohë dje në orën 3:30 në Qafën e Malit u rrëzuan dy ortekë të mëdhenj dhe bllokuan rrugën për gati për 5 orë. Për pasojë në Qafën e Malit u bllokua dhe një autobus me 50 pasagjerë për gati 5 orë, por pas ndërhyrjes së menjëhershme u arrit që ata të shpëtoheshin. Në këtë qark rrugët nacionale kryesore janë të kalueshme me shumë vështirësi dhe situata është mjaft e rënduar dhe pothuajse të gjitha komunat janë të bllokuara. Trashësia e borës në qytetin e Bajram Currit është 60 cm, ndërsa kanë vazhduar rëniet. Në rrethin e Pukës vazhdon bora me intensitet, me erë të fortë dhe me ngrica. Aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Aksi Qafa e Malit–Fierzë dhe Fierzë–Bajram Curri është e kalueshme me zinxhirë. Në këtë rreth vazhdon të bjerë borë me intensitet, e shoqëruar me erë të fortë. Në rrethin e Pukës vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në komunën e Iballës dhe të Qelzës. Ndërsa në Dibër nga reshjet e borës janë bllokuar pothuajse të gjitha rrugët e komunave në të gjithë qarkun. Situata është rënduar shumë gjatë natës. Trashësia e borës në Peshkopi dhe në qytetin e Bulqizës ka arritur deri në 60 cm. Rruga Kukës–Peshkopi është e pakalueshme. Ndërsa në Gjirokastër zonat malore që shtrihen gjeografikisht mbi 750 metra mbi nivelin e detit janë përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme nga reshjet e dëborës, ku trashësia e saj në disa zona ka arritur deri në 25 centimetra. Zëdhënësi i shtypit në drejtorinë e policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullaj, pohoi se në komunën e Zagorisë dhe Pogonit qarkullimi i automjeteve është e kalueshme. Po në rrethin e Përmetit është mbuluar nga dëborë komuna Frashër, ku trashësia e dëborës varion nga 10 deri 20 cm, por edhe në këtë komunë rruga rurale nuk është bllokuar.

Udhëtarët dhe mjetet do të përpunohen sipas trageteve. Bllokohen rrugës dhjetëra autobusë

Festat dhe moti i keq “vë në lëvizje”portin

Xhevahir Gradica

DURRES- Kapiteneria e portit të Durrësit ka kërkuar klasifikimin e udhëtarëve në tragete sipas orarit të lundrimeve. Kapiteni i këtij porti Muharrem Trupe ka theksuar se duhet studiuar kjo mundësi për të krijuar korridore për udhëtarët dhe mjetet.

Udhëtarët

“Porti, kapiteneria, drejtoria e policisë së kufirit dhe dogana duhet të mendojnë për të studiuar mundësinë e shmangies së dyndjes në sportele të udhëtarëve që lundrojnë në tragete të ndryshme.” Sipas kapitenit të portit, kjo lehtëson kohën e përpunimin në ditët e fluksit si dhe e bën lehtësisht të kontrollueshme situatën. Në basenin e portit, në sheshin e trageteve mund të ankorohen deri në 5 tragete, por ato nisen apo mbërrijnë në port me një diferencë që varion nga 30 minuta deri në një apo më shumë orë. Terminali provizor mund të përballojë një fluks deri në 1000-1500 udhëtarë, por në sportelet e vulosjes së dokumentit futen njëherësh udhëtarë që lundrojnë me tragete të ndryshme. Fakti që tragetet nisen njëri pas tjetrit bën që udhëtarët të dynden pa marrë në konsideratë se një pjesë e tyre lundrojnë disa minuta më parë. Për të shmangur një fenomen të tillë, Trupe mendon se duhet një marrëveshje mes operatorëve në port. Një ditë më parë 3 tragete janë nisur me vonesë që ka variuar nga 2 orë deri në 4 orë. Trageti “Apollon”, “Rigel” dhe “Flaminia” kanë lënë terminalin e trageteve vetëm 3 orë pas mesnate dhe vonesa është shkaktuar nga bllokimi i shumë udhëtarëve në akse rrugore me ngricë e borë dhe nga përzierja e udhëtarëve.

Moti i keq

Gjithnjë sipas kapitenit të portit Muharrem Trupe, 15 autobusë, kryesisht në nisur nga Shkupi, por dhe të tjerë nga Prishtina kanë mbërritur me shumë vonesë në port për shkak të motit me reshje bore dhe akullit në rrugë. Kjo ka pasuar me shtyrjen e orarit të lundrimit, ndërkohë që kjo kategori udhëtarësh janë detyruar të qëndrojnë në fund të radhës, edhe pse trageti i tyre do të nisej para trageteve të tjera. Që prej dy vjetësh në terminalin e udhëtarëve nuk ka më radhë të gjata, tejmbushje të trageteve, shtyrje të lundrimeve apo kontrolle të bezdisshme për shkak të mënyrës së menaxhimit dhe të investimeve në terminal. Të gjithë qytetarët që lëvizin me mjete nuk zbresin më, pasi kontrolli bëhet në autoveturë, ndërsa në pikën e kontrollit të dokumentacionit janë shtuar sportelet dhe është trefishuar personeli. Megjithatë, porti, kapiteneria dhe policia pritet të studiojnë krijimin e korridoreve për udhëtarë dhe mjetet të ndara sipas linjave dhe trageteve. Në tetë tragete janë përpunuar 4050 udhëtarë dhe 730 automjete. Kapiteneria ka bërë të ditur se moti në ujërat shqiptare nuk ka paraqitur probleme, ndërsa era me drejtimin jug-juglindje është shoqëruar me vështirësi në anën e portit të Barit.

Asnjë incident

Kakavijë, largohen 15 mijë emigrantë

KAKAVIJE - Gjatë katër ditëve të para të vitit të ri nëpërmjet pikës së kalimit kufitarë Kakavijë kanë dalë nga territori shqiptarë rreth 15000 emigrantë shqiptarë si dhe rreth 3000 automjete. Elton Papa, komandanti i vendkalimit kufitarë të Kakavijë, tha për gazetën “Metropol” se gjatë orëve të para të ditës së djeshme ka pasur fluksi i emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë. Sipas tij, për shkak të mjegullës së dendur dhe temperaturave tepër të ulëta procesi i kontrollit doganorë është vështirësuar, por fatmirësisht nuk ka shënuar radhë të gjata. “Falë masave të marra nga drejtoria rajonale për kufirin dhe migracionin në qarkun Gjirokastër situata paraqitet e qetë dhe deri tani nuk është shënuar asnjë incident”, - pohoi Papa.

Në Qarkun e Kukësit:

Janë të kalueshme me zinxhirë akset:

Kukës–Tiranë, Kukës–Morinë

Krumë–Qafë e Prushit, Krumë–Kukës, Krumë–Golaj

Bajram Curri–Qafëmorinë, Bajram Curri–Fierzë, Bajram Curri–Llugaj, Bajram Curri–Margegaj.

Ndërkohë rrugët drejt komunave të këtij qarku janë të bllokuara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.

Në qarkun e Dibrës:

Aksi rrugor nacional Peshkopi–Bulqizë–Burrel është i kalueshëm me zinxhirë. Po ashtu janë të kalueshme me zinxhirë dhe akset rrugore Qafa e Buallit–Krastë dhe Qafa e Buallit–Milot.

Ndërkohë rrugët që lidhin komunat Kala e Dodës, Selishtë, Zallë-Dardhë, Reç, Lurë, Klenjë, Ostren, Derjan, Macukull, Lis, Xibër janë të bllokuara. Të gjitha akset rrugore të tjera të këtij qarku janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në Qarkun e Korçës:

Qafëthanë–Pogradec, Qafa e Plloçës–Korçë si dhe Korçë–Qafa e Qarrit–Ersekë dhe në aksin Korçë–Devoll–Kapshticë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve nga të gjitha automjetet që lëvizin në këtë drejtim.

Në Qarkun e Shkodrës:

Në aksin rrugor Qafa e Malit–Fushë-Arrëz, Qafa e Shllakut–Kukës është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

Në rrethin e Pukës rrugët janë të kalueshme me zinxhirë. Janë të bllokuara akset rrugore rurale që lidhin komunën e Iballës dhe Fierzës si dhe aksi rrugor Qafa e Malit–Fierzë.

Po ashtu janë të bllokuara akset Bogë–Theth, Shkodër–Dukagjin, Tamarë–Vermosh.

Në Qarkun e Lezhës:

Është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve në akset rrugore Rrëshën–Milot, Rrëshen–Shpal, Milot–Shkopet, Zejmen–Balldre. Po ashtu është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve dhe në akset e tjera rurale të këtij qarku.

Janë të bllokuara akset rrugore në drejtim të komunave Fan, Orosh, Kurbnesh, Kashnjet, Dajç Zadrimë, Rrënja e Zezë dhe Rrënja e Velës.

Në Qarkun e Elbasanit:

Akset rrugore të këtij qarku janë të kalueshme me zinxhirë. Edhe në Qafën e Kërrabës është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

Në të gjitha këto akse rrugore janë të pranishme strukturat e policisë, të cilat po ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me zinxhirë si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë. Shërbimet e policisë, që janë të pranishëm në të gjitha akset problematike, do të bllokojnë lëvizjen e automjeteve që nuk kanë vendosur zinxhirë.

Parashikimi kushteve të motit

Sot, më 5 janar, do të mbizotërojë mot me alternime vranësirash dhe kthjellimesh.

Temperatura e ajrit pritet të luhatet: minimalja në vendet malore do të jetë deri në –10 dhe maksimalja do të arrijë në bregdet deri në 11 C.

Prefektja Zefi mbledh shtabin e emergjencave civile

Korçë, rrugët të kalueshme

vetëm me zinxhirë

KORÇE- Rrugët nacionale që përshkojnë rajonin e Korçës janë që të gjitha të kalueshme, por vetëm me zinxhirë. Gjithsesi, qarkullimi mbetet i vështirë për shkak të temperaturave tepër të ulëta, reshjeve të dëborës, që nuk kanë të ndalur, dhe shtresës së akujve, që kanë veshur të gjitha rrugët. Aktualisht mund të thuhet se mbeten të vështira parakalimet dhe ndërrimet e automjeteve në rrugë, çka do të thotë se nga ana e drejtuesve të automjeteve kërkohet vëmendje dhe kujdes i veçantë. Deri tani trashësia e dëborës në zonat fushore ka shkuar deri në 20-25 cm, ndërsa në zonat rurale Pogradec dhe Kolonjë trashësia e dëborës shkon më shumë se 60 cm. Ndërkohë reshjet e dëborës nuk kanë të pushuar, ndërsa parashikohet se situata do të mbetet e tillë deri në datën 13 të këtij muaji. Nisur nga situata e krijuar gjatë dy ditëve të fundit, prefektja e Qarkut të Korçës, prof. dr. Elfrida Zefi, ka mbledhur shtabin e emergjencave dhe janë nisur drejt akseve rrugore që lidhin Korçën me qytetet e tjera 15 borëpastruese dhe makineri. Ndërkaq në pikat e vështira të rrugëve ka nisur hedhja e kripës dhe e skorieve. Masat e marra kanë bërë të mundur që të gjitha rrugët e këtij rajoni të mbahen të hapura dhe të kalueshme nga automjetet, por vetëm me zinxhirë.

V. Hasani

Banorët: Qeveritarët indiferentë

Përmbyten shtëpi dhe qindra

ha tokë në Karbunarë

LUSHNJE- Reshjet e shumta që kanë rënë 24 orët e fundit, kanë shkaktuar përmbytje me dëme të mëdha ekonomike në rrethin e Lushnjës. Dhjetëra shtëpi janë përmbytur në fshatin Karbunarë të Lushnjës si pasojë e daljes së shtratit të përroit. Dëmet e shumta shkaktuar nga dalja nga shtrati të përroit kanë qenë kryesisht orendi shtëpiake dhe prodhime bujqësore. Banorët janë shprehur të shqetësuar se janë përmbytur edhe herë të tjera, ndërsa shkak i kësaj përmbytjeje është bllokimi i kanaleve kullues dhe ngushtimi i shtratit të përroit si pasojë e hedhjes së mbeturinave inerte. Sipas banorëve Bashkia e Lushnjës dhe kreu i saj Albert Sanxhaku nuk kanë marrë asnjëherë masa për pastrimin e kanaleve kullues, madje për rreth 20 vjet ato nuk janë pastruar asnjëherë. “Kanë më shumë se 20 vjet që askush nuk kujtohet për pastrimin e kanaleve kulluese- thotë banori i fshatit Karbunarë Abedin Avduli. I lutemi qeverisë që të na ndihmojë. Nuk hyjmë dot në banesa. Bagëtitë nuk kanë me se të ushqehen, bujqësia gjithashtu. Po kalojmë me çizme edhe nëpër rrugët e banesave tona. Jemi më shumë se 20 shtëpi buzë përroit Lunjë që janë rrezikuar seriozisht për përmbytje të pariparueshme”. Banorët shprehen që në fillimet e qeverisë demokratike, kanalet kulluese asnjëherë nuk janë pastruar, por janë bllokuar nga mbeturinat inerte. Dalja nga shtrati i përroit Lunjë ka përmbytur edhe disa ha tokë të mbjella me kultura bujqësore. Banorët janë të frikësuar për dëme më të mëdha nëse intensiteti i reshjeve rritet.

A. Damini

Akset më problematike

Elbasani, dëborë,

shi dhe përmbytje

ELBASAN- Dëborë, shi dhe përmbytje kanë qenë tri ditët e para të vitit për qarkun e Elbasanit. Segmentet më të vështira kanë qenë ato të Qafëthanës dhe Qafës së Kërrabës, ku dëbora ka vështirësuar qarkullimin. Situatë më e vështirë regjistrohet në zonën e Librazhdit dhe në zonën e Qafës së Kërrabës, ku segmenti nacional ka pasur vështirësi për lëvizjen e mjeteve. Kështu, mësohet se aksi rrugor Librazhd–Qafëthanë është bllokuar disa herë sidomos gjatë mëngjesit së djeshëm, ku për pak orë ky aks ka qenë i pakalueshëm. Ndërhyrja e mjeteve borëpastruese ka bërë që trashësia, që po arrinte gjysmë metri, të pastrohet dhe rruga të bëhej e qarkullueshme. Segmenti tjetër nacional, ai i Qafë Kërrabës, këshillohet të kalohet vetёm me zinxhirë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Rrugëve Nacionale, në këtë segment janë angazhuar 8 mjete dhe një numër i konsiderueshëm punëtorësh për të bërë të kalueshëm çdo metër të rrugës. Gjendje e vёshtirё ёshtё krijuar nё Librazhd, ku janë bllokuar disa fshatra. Nё nёnprefekturat e tjera dhe nё Elbasan ka pasur disa pёrmbytje pёr shkak tё reshjeve. Reshjet e dёborёs kanё bllokuar plotësisht disa fshatra nё komunat Qarrishtë, Orenjё, Rrajcё dhe Stёblevё nё zonën e Librazhdit.

L. Lleshi

Urdhri për ministritë

Berisha: Garantoni kalueshmërinë në akset rrugore

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar dje Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Mbrojtjes që të ndërmarrin të masat për të garantuar kalueshmërinë në akset rrugore kryesore kombëtare të vendit dhe për t’u ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme komunave të bllokuara. Përmes një deklarate për mediet Kryeministri Berisha u shpreh se me këto komuna nuk duhet të mungojë komunikimi i vazhdueshëm mbi problemet që mund të krijohen nga zhvillimi i situatës.

Gjithashtu Berisha ka urdhëruar që njësi të pajisura të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhenios dhe Emergjencës Civile të vendosen në zonat e bllokuara dhe në akset rrugore kombëtare për të garantuar kalueshmërinë e tyre. Po sipas deklaratës, situata në këto zona në tërësi paraqitet nën kontroll. Zëdhënësja e Kryeministrit përmes një deklarate për mediet bëri të ditur se kreu i qeverisë po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën e rënduar për shkak të motit të keq në zonat e Veriut, Verilindjes dhe Juglindjes së vendit. “Kryeministri Berisha përgëzon të gjitha Forcat e Emergjencës Civile, njësitë e Xhenios, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autoritetet vendore, të cilat gjatë 24 orëve që kaluan kanë bërë të pamundurën kalueshmërinë në akset rrugore kryesore kombëtare për të transportuar të sëmurët nga komunat e bllokuara nga dëbora si dhe për të shpëtuar jetën e qytetarëve të mbetur në dëborë në orët e para pas mesnatës”, - thuhet në deklaratën e zëdhënëses. Sipas saj, Berisha ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes që Forcat e Xhenios të marrin nën mbikëqyrje segmentin rrugor Shumri–Fushë-Arrëz dhe të bashkëpunojnë aty me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të mirëmbajtjes së rrugëve.

Ndërkohë Shtabi i Emergjencës pranë Ministrisë së Brendshme mban një komunikim të vazhdueshëm me të gjitha komunat e bllokuara nga reshjet në mbarë vendin.

PDS-ja reagon për situatën

Qeveria ka harruar mijëra banorë të zonave malore

TIRANE - Partia Demokracia Sociale shprehu dje shqetësimin për situatën e krijuar në disa zona të vendit si rezultat i reshjeve të borës dhe i kërkoi qeverisë të marrë masa urgjente për banorët e këtyre zonave. Përmes një konference për shtyp sekretari politik i PDS-së Artur Duçkallari theksoi se vështirësive ekonomike të zonave verilindore dhe jugore të vendit po u shtohen këto ditë edhe pengesat në qarkullim dhe izolimi i tyre, duke sjellë probleme të rënda në furnizimin me ushqime dhe garantimin e shërbimeve mjekësore, për të cilët kanë nevojë këta banorë. “PDS-ja i kërkon qeverisë të marrë masa konkrete urgjente ne teren e të mos mjaftohet me ngritjen e shtabeve të emergjencës dhe ndjekjen rutinë të situatës sipas skemave te vjetra demagogjike, por të angazhojë edhe ushtrinë dhe forcat e rendit për përballimin e kësaj situate emergjence”, - tha Duçkallari. Sipas tij, shumë banorë të zonave të bllokuara nga dëbora prej kohësh kanë mbetur në harresën qeveritare, jo vetëm në dimër, por gjatë gjithë vitit. “Në shumë fshatra të vendit banorët sigurojnë ushqimin për fëmijët e tyre mes vuajtjeve të mëdha, ndërsa janë të detyruar të bëjnë kilometra rrugë në këmbë për të pasur asistencën më elementare mjekësore”, - tha ai. PDS-ja shprehet se shteti sot nuk ekziston për dhjetëra mijëra njerëz, duke i lënë ata në mëshirë të fatit, në dorë të varfërisë ekstreme dhe në kthetrat e një moti të rënduar. Sipas PDS-së, qytetarët e zonave malore dhe jugore të Shqipërisë nuk mund të kënaqen vetëm duke dëgjuar zëdhënësit qeveritarë, të cilët garantojnë se Kryeministri po ndjek situatën. Ne pamë një kryeministër të buzëqeshur, që vizitoi maternitetin e Tiranës, edhe pse ende sot për shumë nëna të reja në zonat më të thella të vendit nuk ka asistencë mjekësore për të sjellë në jetë fëmijët e tyre, po për këtë Berisha as nuk do t’ia dijë”, - thuhet në deklaratën e PDS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›