Shpërthen bombola, plagoset gruaja e biznesmenit
Dashurie Kolila, mori plagë të rënda djegieje dhe fraktura në kokë nga shpërthimi i gazit të rrjedhur nga një bombël gatimi
Zjarri shkatërron shtëpinë e tregtarit të duraluminit dhe shkakton dëme të lehta në disa të tjera. Ngjarja pranë ambasadës rumune
TIRANË- Shpërthimi i një bombole gazi brenda në apartamentin e një bizensmeni duralumini, shkaktoi plagosjen e një gruaje dhe dëme të konsiderueshme materiale në një pallat tetë katësh, pas Liceut Artistik, në rrugën "Themistokli Gëmenji".
Veç plagosjes së gruas, ngjarja ka shkaktuar dëme serioze materiale duke dëmtuar apartamentin e Albert Kolilës, ndërsa skeletet e kanateve të dritareve, dëmtuan disa automjete në rrugë mes të cilave edhe dy të ambasadës rumune.
Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 13:40, në një apartament në rrugën "Themistokli Gërmenji" në kryeqytet, ku nga shpërthimi i gazit të rrjedhur nga një bombël e vogël gazi. mbeti e plagosur 55 vjeçarja, Dashurie Kolila dhe u shkatërrua plotësisht banesa e saj, që ndodhet në katin e gjashtë të pallatit tetë katesh.
Shpërdhimi që dyshohet të ketë ardhur nga rrjedhja e gazit solli dhe dëmtime të disa automjeteve që ndodheshin të parkuara përballë pallatit ku ndodhi ngjarja, ku midis tyre njëra ishte e përfaqësisë diplomatike rumune në Tiranë. Mjedisi përballë pallatit u mbush me xhama të thyer të makinave dhe materialeve të dëmtuara që kishin dalë nga banesa e çiftit Kolila.
Nga të dhënat mësohet se gazi ka filluar të rrjedhë, kur në shtëpi nuk ndodhej asnjë nga pjesëtarët e familjes, ndërkohë kur në banesë ka hyrë e dëmtuara dhe ka ndezur dritën ka ndodhur dhe shpërthimi i fuqishëm. Më pas ajo është rrëzuar për tokë dhe vetëm me ndihmën e fqinjëve ka arritur të dalë jashtë për t'u nisur për në spital. Mësohet se gruaja e plagosur ka pësuar djegie në fytyrë, por ka pësuar edhe tronditje të rëndë psikologjike.
Gruaja që mbeti e plagosur u dërgua në repartin e djegie - plastikës në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se bombula që shkaktoi shpërthimin ishte rreth pesë litërshe dhe rrjedhja e gazit të saj ka bërë që nga ndezja e dritës të ndodhë dhe shpërthimi. Nga shpërthimi u dëmtuan pesë automjete që ndodheshin të parkuara para pallatit ku ndodhi ngjarja dhe një nga makinat i përkiste Ambasadës Rumune në Tiranë.
Zhurma e shpërthimit të djeshëm solli panik mes banorëve të pallatit, ku banonte edhe çifti Kolila, duke bërë që të gjithë banorët ta braktisin atë për disa minuta. Pas shpërthimit menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta të Policisë së kryeqytetit, duke nisur hetimet për shkaqet e shpërthimit që plagosi një person dhe solli dëme të konsiderueshme materiale në banesën ku jetonte e plagosura.
Në vendngjarje mbërritën dhe dy zjarrfikëse, të cilat mundësuan mos përhapjen e zjarrit që sapo kishte filluar në apartamentin ku ndodhi shpërthimi Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë për të zbardhuar rrethanat e ngjarjes.. E dëmtuara jetonte vetëm me bashkëshortin e saj, i cili në momentet e shpërthimit nuk ishte në banesë.
Roja: banorët po linin pallatin të frikësuar
Njëri prej dëshmitarëve të ngjarjes tregon se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe solli panik mes banorëve.
Arjan Boçka, 45 vjeç, roja i një kompanie private përballë pallatit që shpërtheu tregon se e plagosura kishte pësuar tronditje nga shpërthimi dhe djegie në fytyrë. "Ishte ora rreth 13:40 dhe unë po qëndrojë në këmbë përballë pallatit.
Rreth kësaj ore dëgjova një shpërthim të fuqishëm, ku nga forca pashë të dridheshin dhe xhamat e makinave që ishin të parkuara jashtë. Pas këtij momenti pashë banorët që po dilnin jashtë të frikësuar, por akoma nuk e kisha kuptuar se pse kishte ndodhur shpërthimi",- tregon 45- vjeçari.
Ai tregon se sapo zjarri filloi të përhapej vijnë dy zjarrfikëse që e shuajnë atë dhe dy ambulanca për t'i ardhur në ndihmë të plagosurës. "Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe u dëmtuan dhe disa makina, Por për fat në ato momente nuk po lëvizte njeri përballë pallatit, pasi do kishte pasur pasoja të rënda, sepse të gjithë materialet e dritareve që u shkatërruan lart ranë poshtë. Fqinjët e nxorën gruan e plagosur dhe e nisën për në spital dhe vetëm ajo ishte e dëmtuar"- tregon 45 vjeçari.