E Diel, 1 Nëntor 2026

I kërkuari i SHBA: Biznesmeni i Bllokut, trafik kokaine me CAMORRAN

Altin Kore, i arrestuar në Rinas me një urdhër-arrest të Interpol Uashingtonit, është pjesë e një grupi të madh trafikantësh, të cilët furnizonin mafian italiane me kokainën e karteleve meksikane. Hetimi i agjentëve të DEA-s ka përfunduar në verën e vitit 2009, kohë kur 35-vjeçari Kore u shpëtoi prangave, duke u kthyer në Shqipëri. Gazeta “The Guardian” ka raportuar mbi këtë organizatë të drogës, të stacionuar në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët shërbenin si ndërmjetës të trafikut të kokainës nga Meksika në Itali dhe Spanjë. Sipas dosjes së hetuar nga agjentët amerikanë, trafikantët meksikanë të drogës furnizonin me kokainë mafian italiane, përmes ngarkesave që kalonin nga Dallasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe banonte Altin Kore. “The guardian” shkruante se kartelet janë duke krijuar aleanca me sindikatat italiane, që prej kohës kur DEA zbuloi se karteli i Gjirit të Meksikës, i cili furnizon Dallasin me kokainë, ishte duke punuar me bashkëpunëtorët në New York të mafias së fuqishme italiane “Ndragheta”. Në gusht të vitit 2008, DEA arrestoi një gardiane burgu në Dallas, e akuzuar për konspiracion në fushën e narkotikëve. Gardiania Brenda Medina Salinas u shpall fajtore dhe ishte në pritje të dënimit. Të tjerë u shpallën gjithashtu fajtorë, në një dosje voluminoze, ku u bë e qartë se linja e drogës kishte kryer gjithë rrugën për në Europë dhe në botën klandestine të Camorra-s. Të pamëshirëshmit anëtarë të Camorras, kur u duhet të jenë kështu, merren me trafik përtej fasadës së bizneseve të qeta. Dihet që ata punojnë përmes linjave etnike dhe politike. Relativisht pak dihet për bashkëpunëtorët lokalë të Camorra-s, edhe pse ajo ka lidhjet e veta në Dallas, Houston dhe Meksikë. Ortaku i Camorra-s nuk u përball me akuza në këtë çështje, për shkak se agjentë nuk mundën të mblidhnin shumë informacion për ta mbërthyer atë, duke u detyruar të hidhen në veprim për shkak se gardiania Salina po informonte bashkëpunëtorët e saj. Agjentët e mësuan emrin e ortakut të Camorra-s më vonë, kur punonjësit e DEA-s po mbanin nën vëzhgim takimin e tij me një kontakt lokal. Asokohe u kërkua nga policia e Dallasit ndalimi i makinës së tij dhe kontrolli i dokumenteve të identifikimit. Ortaku i Camorras sapo ishte takuar me Higinio "Gino" Hernandez, një 30-vjeçar i njohur si instalues dyshemesh dhe Altin Koren, një 32-vjeçar me banim në Dallas, i akuzuar gjithashtu për konspiracion, megjithëse u shpëtoi prangave. Hernandez u shpall fajtor. Pas këtij episodi, DEA nisi hetimin e grupit të Hernandezit, pas informacionit të marrë nga autoritetet italiane në vjeshtën e 2007-s. Kontakti i tyre rreth ortakut të Kamorras në Itali demaskoi një furnizues të fuqishëm kokaine. Higinio Hernandez ishte mjaft i afërt me të vëllanë, Henry "Tito" Hernandez, 34 vjeç, nga Dallasi, i cili është shpallur gjithashtu fajtor. Vëllai i tretë Luis është nën akuzë, edhe pse i shpallur në kërkim. Henry dhe Higinio punuan për vite me radhë në biznesin e instalimit të dyshemeve, si nënkontraktues të Carpet One. “Ata bënin një jetë të dyfishtë. Bënin dysheme gjatë ditës dhe transaksione droge gjatë natës” - tha prokurori Ernest Gonzales. Për njerëzit rreth tyre, ishte mjaft e qartë se “ustallëku” nuk ishte i vetmi burim i të ardhurave. Kur përfunduan në pranga, vjeshtën e vitit 2009-s, agjentët federalë bllokuan një “Cadillac Escalade” të Higinios dhe një “Lexus IS30” si dhe një tjetër “Escalade” të Henrit. Ky i fundit dhe vëllai në arrati Luis kishin foto të çastit të festave me limuzina, miq, alkool dhe femra. “Ata punonin po aq edhe me Kubën dhe nuk i fshihnin paratë e tyre”, - thanë autoritetet. Hetimi zbuloi se furnitori i Higinios në Meksikë ishte gjysmë-vëllai Rodolfo Lopez, një tjetër i kërkuar i kësaj çështjeje. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Lopez krijoi lidhje me ortakun e Camorras dhe hyri në marrëdhënie me prodhues të kokainës në Kolumbi. Në vitin 2009 Lopes u rivendos në Meksikë, ku edhe siguron ngarkesat me kokainë për vëllezërit e tij në Dallas. Nga Dallasi, kokaina dërgohej në Houston, ku ortaku i Camorras kishte një biznes qirinjsh aromatikë për eksport. Kokainës i duhej rreth 1 muaj kohë të trafikohej në mes të qirinjve nga SHBA në Itali. Portet e mëdha tërheqin sindikatat italiane të krimit të organizuar, të cilat operojnë në 19 qytete amerikane, sipas raportit të fundit për drogat, nxjerrë nga Departamenti i Drejtësisë. Çështja “Hernandez” konsiderohet gjithsesi një anomali në qarqet e autoriteteve të drejtësisë. Për vite me radhë, agjentët kishin thënë se mafia nuk kishte baza të rëndësishme në Dallas. Por ekspertët thonë se operacionet e paprecedenta të qeverive amerikane dhe meksikane i kanë detyruar kartelet t’i drejtojnë sytë nga Europa, si një treg në ekspansion. Përtej Atlantikut, kërkesa për kokainë është e lartë dhe çmimet janë të kripura. “Një kilogram i shitur për 20 mijë dollarë në Dallas vlen tri herë më shumë përtej detit” - shtojnë ekspertët. “Vende si Houston apo Dallas janë ato ku organizatat kriminale po investojnë paratë e tyre. Kjo është koha e duhur, duke marrë parasysh që recensioni vazhdon” - thotë Antonio Nicaso, një autor dhe lektor i njohur botërisht sa i përket krimit të organizuar italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›