E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e dy policëve në Kukës, dëshmon kryekomunari i Shënmrisë

Ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda kryetari i Komunës së Shënmrisë në Kukës, duke treguar vrasjen e dy policëve, Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila. Kryekomunari ka treguar se ka dëgjuar krismat e armës së Afrim Hasanajt dhe lajmin e kishte marrë vesh nga pronari i lokalit ku u vranë dy efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kishin qenë në patrullim. "Lajmin e mora vesh nga pronari i lokalit ku u vranë policët. Dua të shtoj se midis autorit dhe viktimave kishte një konflikt, për shkak të punës së efektivëve të policisë që kishin shoqëruar në një rast Hasanin", tha kreu i Komunës së Shënmrisë, duke treguar pak detaje nga ngjarja. Dy punonjësit e policisë, Dobrusha dhe Hila, u ekzekutuan nga Hasani në muajin mars të këtij viti, gjatë kohës që ishin në shërbim në Komunën Shënmri në Kukës. Autori i ka qëlluar me breshëri automatiku, duke i lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas është strehuar në një banesë të braktisur. Ai është arrestuar disa orë më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›