E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen gazi, asfiksohen 21 banorë

Autori i Lajmit: red.
Një shpërthim gazi ka ndodhur në Sektorin 6 të KPPTHN në Zharrëz të Fierit duke shkaktuar asfiksim të 21 personave. Shpërthimi ka ndodhur në orën 14.40, kur në Sektorin nr 6 ishte duke u nxjerrë naftë bruto, në një prej puseve, që ndodhet afër qendrës së banuar, ka ndodhur një shpërthim dhe një sasi ende e pacaktuar gazi është çliruar në atmosferë. Si rezultat i çlirimit të gazit helmues në ajër, në banesat përreth, janë lokalizuar 21 persona në gjendje asfiksie që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.
Burime nga urgjenca e drejtorisë spitalore në Fier, konfirmuan dje se 21 persona, mes tyre tetë fëmijë, gjashtë gra dhe pjesa tjetër të moshuar, kanë marrë ndihmë mjekësore. “Ne u detyruam që gjashtë prej këtyre personave që mbërritën në gjendje asfiksie, t i mbajmë në repartin e reanimacionit ku edhe ndodhen aktualisht nën kujdesin e një ekipi mjekësh e infermieresh”, - pohuan për NOA-n, burimet në këtë spital. Sakaq në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie si dhe forca të repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit të qarkut Fier. Për shkak të çlirimit masiv të gazit që po vazhdon edhe në këto momente, korrespondenti i NOA-s, konfirmon se janë evakuuar 90 familje. Ato janë dërguar në hyrje të fshatit Zharrëz për të qenë sa më larg zonës së helmuar. Ndërkohë që “Intensiteti i forcës së gazit ka rënë ndjeshëm dhe pritet që brenda orëve në vazhdim të mos ketë më rrezik nga helmimi apo asfiksia për banorët e zonës”, - bënë të ditur burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë në Fier. Ndërkohë në urgjencën spitalore të Fierit ndodhen ende nën përkujdesje mjekësore 14 persona, gjashtë prej të cilëve në repartin e reanimacionit. Mjekët bënë të ditur se ndër 21 persona që shkuan të asfiksuar, shtatë prej tyre janë larguar për në shtëpi, pasi iu nënshtruan ndërhyrjes mjekësore kundër intoksimit. Policia dhe forcat e repartit zjarrfikës, lokalizuan shpejt flakët dhe i shuan ato, ndërsa çlirimi i gazit helmues në ajër, vazhdon të jetë evident, ndonëse intensiteti ka rënë ndjeshëm.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›