E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen gazi në banesë, plagosen katër familjarë

Shpërthimi i bombolës që përdorej për gatim ka shkaktuar dje plagosjen e të gjithë personave që ndodheshin në banesë, mes të cilëve edhe djali i paralizuar 9 vjeç. Mësohet se shkak ishte defekti në gominën lidhëse të bombolës me sobën e gatimit 

TIRANE- Amortizimi dhe mungesa e kolaudimit të bombolave të gazit ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë në banesën e Fadil Lilës, në rrugën "Myslim Keta", pranë vendit të quajtur "Antibiotiku", në periferi të Tiranës. Shpërthimi i bombolës që përdorej për gatim ka shkaktuar plagosjen e të gjithë personave që ndodheshin në banesë, mes të cilëve edhe djali i paralizuar 9 vjeç. Nadire Lika, amvisa 42-vjeçare e shtëpisë dhe djali Elidoni, janë në reanimacionin e repartit të djegieve në QSUT, dhe mjekët nuk jepnin siguri për jetën e tyre. Bashkëshorti Fadil Lila, 42 vjeç dhe motra e këtij, Hanke Zeqiri, 56 vjeç, gjithashtu të plagosur, sipas mjekëve ndodhen në spital gjendje në gjendje disi më të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 9:30 të paradites së djeshme dhe si pasojë e shpërthimit është shkatërruar gati plotësisht banesa. Katër familjarët e plagosur janë nxjerrë nga shërbimet e Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës të ndihmuar edhe nga efektivët e ushtrisë të Batalionit të Sigurimit, që gjendet pranë vendit të ngjarjes. Ekspertë të kriminalistikës dhe zjarrfikëseve kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet e shpërthimit. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, mësohet se shkak ishte defekti në gominën lidhëse të bombolës me sobën e gatimit. Kjo nga amortizimi dhe moskujdesi i shitësit, i cili nuk e ka ndërruar ose nuk e ka pajisur me gominë të re bombolën e rimbushur me gaz. Vëmendja kryesore e familjarëve dje ishte në spital, për të shpëtuar katër të plagosurit. Por, edhe nëse ata do të rikuperonin çdo plagë të marrë, do u duhet të përballen me dëmin e shkaktuar si pasojë e shkatërrimit thuajse plotësisht të banesës dhe të gjitha orendive që kishin.

(d.b/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›