E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen 2 të rinjtë tepelenas, akuza e pabazë

17/02/2009  U proceduan në qershor pas një tubim paqësor kundër Vasil Bollanos dhe Spiro Kserës

GJIROKASTER- Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vendosur dje pushimin e çështjes ndaj dy djemve të fshatit Toç (Tepelenë), Orgen Hasanbega dhe Luan Halili, të cilët u akuzuan nga Prokuroria e Gjirokastrës për veprën penale “organizimit të paligjshëm të tubimeve”.

Lirimi i të rinjve

Në seancën e fundit gjyqësore, gjykatësi Shkëlqim Mustafa, i ka rrëzuar të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e Gjirokastrës, duke e cilësuar hetimin të nxituar, pasi sipas tij, çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën për të protestuar paqësisht edhe pa lejen paraprake të komisariatit të policisë. “Prokuroria e Gjirokastrës duhet ta kishte pushuar çështjen vet, pasi dy të pandehurit Orgen Hasanbega dhe Luan Halili nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale”, tha Mustafa gjatë argumentimit të vendimit të formës së prerë, duke nënvizuar se, tubimi paqësor është organizuar larg vendit publik. “Për sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastrës vendosi që dy të pandehurit të lirohen nga akuzat e ngritur nga Prokuroria dhe të gjitha shpenzimet operative i ngarkohen organit të akuzës”, ishte vendimi përfundimtar i gjykatësit Shkëlqim Mustafa. Ndërkohë dy të rinjtë janë përkrahur gjatë gjithë kohës së procedimit penal nga qindra banorë të tjerë të fshatit të tyre dhe opinionit publik. Disa ditë më parë u organizua protesta e fundit paqësore në mbrojtje të dy të rinjve tepelenas. Madje shumë prej protestuesve hodhën parulla kundër Kserës dhe Bollanos dhe e quajtën makinacion gjyqin ndaj Hasnbegahtit dhe Halilit. Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, kanë organizuar një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepirot në Konicë të Greqisë.

Ngjarja

Akuzat pas një proteste

Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, kanë organizuar një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepirot në Konicë të Greqisë. Ata të dy pas disa seancave të “dështuara” pasi nuk u paraqitën shumë prej drejtuesve të policisë lokale të thirrur si dëshmitarë dhe sidomos pas seancës së parafundit ku ndaj tyre u kërkua nga Prokuroria të shlyenin një gjobë 100 mijë lekëshe secili u mbështetën fuqimisht nga banorët e qyteteve përreth dhe mbarë opinionit publik shqiptar. Kështu Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër vendosi lirimin e tyre duke e konsideruar si të pabazë akuzën e ngritur karshi tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›