E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen makina te "Vasil Shanto"

Dy makina janë djegur dje për shkak të defekteve. Një rast
është regjistruar në Tiranë, ndërsa një tjetër në Vlorë. Policia
tha se një makinë e llojit "Mercedez Benz" ka marrë flakë mëngjesin
e djeshëm te vendi i quajtur ura e "Vasil Shantos", në Tiranë. Menjëherë,
dëshmitarët okularë kanë
njoftuar policinë e kryeqytetit dhe
zjarrfikëset, të cilët kanë reaguar, duke
shuar flakët. Burimet zyrtare nga Drejtoria
e Policisë së Tiranës bënë të ditur
se ngjarja është njoftuar në orë
08:25 të mëngjesit kur makina në ecje
e sipër ka nxjerrë tym. Drejtuesi i saj e
ka ndaluar menjëherë, duke e nxjerrë
anash rrugës dhe është larguar nga frika
e shpërthimit. Në atë kohë ka
shpërthyer dhe zjarri që fatmirësisht
nuk ka sjellë dëme në njerëz. Sipas
policisë, zjarri ka shpërthyer në impiantin e gazit, të vendosur në
pjesën e prapme të makinës. Drejtuesi i makinës ka shpjeguar për
policinë gjithë ngjarjen, ndërkohë që mjeti i tij është djegur plotësisht.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, si dhe
kanë nisur hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit. Dyshimet e para
janë që automjeti të jetë përfshirë nga zjarri pas një shkëndije elektrike
dhe më pas është përhapur më tepër. Djegia e makinës ka
sjellë edhe bllokimin e trafikut në orët e para të mëngjesit, duke iu
shtuar edhe mjegullës që ishte tejet e dendur në Tiranë. Ndërkohë,
një tjetër automjet është djegur gjatë natës së kaluar në Skelë të
Vlorës për shkaqe që nuk dihen. Ngjara ka ndodhur pak minuta
pas mesnate, kur automjeti tip "Mitsubishi", ngjyrë blu, me targa
VL 5244 C, është përfshirë nga flakët në pjesën e pasme të tij, si dhe
brenda kabinës. Kanë qenë zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për
shuarjen e flakëve, dhe duke bërë të mundur shpëtimin e pjesës së
përparme të automjetit, ndërsa pjesa e pasme, me tapicerinë, është
djegur plotësisht. Sipas policisë, nga deklaratat e vet pronarit,
ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një qarku elektrik si
pasojë e një karikuesi baterish i lidhur me ndezësen e cigareve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›