Michelle Obama, e rritur në një garsionerë, tani bëhet zonja e parë e Shtëpisë së Bardhë
Pas çdo burri të burri të madh fshihet një grua e zgjuar. Por analistët e kanë të vështirë të gjejnë krahasime, sepse Michelle Obama, është zonja e parë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, sot, ajo konsiderohet si zonja e parë e një stili të veçantë, krahasuar me të gjitha të tjerat më parë, të kohës së saj apo jo. Ajo sjell aftësitë e një avokateje në Shtëpinë e Bardhë në pozicionin e ri, por ka deklaruar se prioriteti i saj do të jetë roli në familje dhe kujdesi për dy vajzat. Michelle Obama thotë se ajo nuk dëshiron të marrë një rol politik në administratën e Obamës. “Puna ime e parë, me sinqeritetin më të madh, është të vazhdoj të jem nëna e familjes”. Ajo ka deklaruar gjithashtu, se shpreson të gjejë një mënyrë për të ruajtur balancën dhe kërkesat e një familjeje presidenciale dhe të jetë e aftë si një këshilltare jozyrtare për bashkëshortin e saj. Michelle Obama, ka lindur më 17 janar 1964 dhe është rritur në një apartament sa një dhomë gjumi (garsionerë) në anën jugore të Çikagos ku aktualisht nëna e saj, një ish-sekretare jeton ende. Babai i saj ishte një nëpunës në impiantin e ujit të qytetit. Tani nuk jeton më. Ndonjëherë e krahasuar me Jacqueline Kennedy, Michelle, 44 vjeçe, do të sjellë sharmin dhe sofistikimin e stilit të saj personal në Shtëpinë e Bardhë, si Zonja e Parë afrikano-amerikane e Shteteve të Bashkuara. Michelle është diplomuar në Universitetin Princeston dhe shkollën juridike në Harvard, ku ka takuar edhe bashkëshortin e saj, ndërsa filluan punë të dy bashkë në një firmë ligjore në Çikago. Ata u martuan në vitin 1992, por edhe Michelle ishte pjesë aktive e shërbimeve publike, së pari në “Chicago City Hall” dhe më pas si kryetarja e një organizate jo përfituese, që inkurajonte të rinjtë të punonin në çështje sociale. Edhe gjatë sezonit të gjatë të zgjedhjeve ajo e vazhdoi punën e saj part-time, si pjesë e ekzekutivit të marrëdhënieve me komunitetin në spitalin e Çikagos. Michelle ka bërë një fushatë efektive, me gjithë dyshimet që kanë hedhur mbi patriotizmin e saj kundërshtarët politikë. Ajo është vënë shumë shpesh në shënjestër në median e krahut të djathtë, Fox News, kur një komentator e ka quajtur një herë si “Obama’s baby mama”, një term poshtërues për një grua me ngjyrë të pamartuar. Michelle ka qenë zëri i parë mbështetës në karrierën e Obamës. “A doni të dini se si Barak përgatitet për një debat? Ai bën prova me mua dhe pastaj është gati”. Të martën pas zgjedhjes së Barak Obamës ajo u shfaq në Parkun Grant të Çikagos me një fustan kuq e zi, ngjyrë e pasuar edhe tek vajzat e saj, Malia 10 vjeçe (e veshur me të kuqe) dhe Sasha, 7 vjeçe (e veshur në të zezë). Obama u kthye nga familja dhe falënderoi me fjalë të mëdha “dashurinë e jetës sime, Zonjën e parë të kombit tonë, Michelle Obama”. Më pas ai bëri të ditur një premtim për jetën, që do të bënin në Shtëpinë e Bardhë, duke kujtuar presionin që bie mbi një familje presidenciale, sidomos me fëmijë të vegjël. Vajzat do të jenë banoret më të vogla të Shtëpisë së Bardhë, që pas vitit 1977, kur në të jetonte 9 vjeçarja Amy Carter.