E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e ndërmarrjeve, ja formula

Ministria e Ekonomisë në udhëzimin e saj ka përcaktuar formulën e nxjerrjes së koeficientit të llogaritjes së hapësirave me të cilën do të realizohet shitja në ankand e ndërmarrjeve apo objekteve të tjera shtetërore. 

Në shembullin e dhënë, udhëzimi i dy ministrive përcakton se, nëse objekti me 3 kate është ndërtuar mbi një sipërfaqe 500 m2 (sipërfaqe ndërtimi + mjedisin e përbashkët + sipërfaqen e bordurës + sipërfaqen e truallit në oborr, nëse ka). Sipërfaqja e ndërtimit pa ambientet e përbashkëta është 1250 m2 dhe për çdo kat është: kati i I-rë 450 m2 dhe kati II-të 450 m2 dhe kati III-të 350 m2, atëherë koeficienti (k) llogaritet në këtë mënyrë: “K = Sipërfaqe trualli/Sipërfaqe ndërtimi K = 500 m2 / 1250 m2, K = 0.4”. Koeficienti i nxjerrë është konstant, duke u shumëzuar me sipërfaqet përkatëse të ndërtimit që zë secili pronar, jep sipërfaqen përkatëse që i takon të privatizojë secili pronar. Metrat katrorë që do të llogariten nga formula do të vlerësohen sipas çmimeve të vendosura nga ana e Agjencia e Kthimit të Pronave. Referenca e çmimeve do të jetë metodika e nxjerrë nga ana e Agjencisë së Kthimit të Pronave, e cila disponon një hartë me çmime në shkallë republike.

Privatizimet, pronarët e truallit përfitojnë të parët

Qeveria nis procesin e përfshirjes së ish-pronarëve në objektet ku ata gëzojnë të drejtën e pronësisë.

bledar hoti

 Udhëzimi më i fundit i dy ministrive, të Financave dhe të Ekonomisë, për zbatimin e vendimit të qeverisë “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, ka parashikuar një procedurë të posaçme për ish-pronarët. Kështu në pikën 10 të këtij objekti theksohet se kur ish-pronari i truallit është pronar i objektit, duke përdorur të drejtën e parablerjes, trualli kalon në favor të tij pa shpërblim. Ndërsa kur ish-pronarët e truallit nuk kanë përfituar objekt në trojet ish-pronë e tyre, iu lind e drejta e kompensimit fizik për të shlyer trojet e shitura. Në këto objekte që kanë pronësi, ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, brenda një afati 20-ditor nga dita e publikimit. Ata duhet të depozitojnë kërkesën me shkrim, në të cilën shprehen se dëshirojnë të blejnë objektin në fjalë, dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20% të vlerës së objektit (mjete kryesore + mjete xhiro), pa vlerën e truallit që kërkon të blejë, dhe vendimin përkatës të KKKP-së të noterizuar apo çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në ZRPP, i cili përcakton se ai është pronar i tokës.

Udhëzimi i plotë i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Udhëzim Nr. 6364, datë 3.7.2008 “për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”

Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave nxjerrin këtë UDHËZIM:
 
1. Të gjitha miratimet e privatizimit, para hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, do të konsiderohen të vlefshme. Afati i plotësimit të dokumentacionit në këtë rast do të fillojë me ngritjen e komisionit të vlerësimit në zbatim të kreut 1, pika 2 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007.

2. Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore dërgojnë prononcimin e tyre për privatizimin e pasurive të ndërmarrjeve apo institucioneve, në administrim apo pronësi të tyre, në ministrinë përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore.
Për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, të cilat i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, nevojitet miratimi përkatës i këshillit bashkiak/të komunës apo qarkut, ndërsa për pronat të cilat janë në administrim të këtyre institucioneve, nevojitet vetëm miratimi i kryetarit të bashkisë/ komunës apo qarkut përkatës.
3. Vlerësimi i pasurisë shtetërore në zbatim të këtij vendimi bëhet për çdo element të pasurisë nga komisioni i Vlerësimit, duke përcaktuar vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
4. Komisioni i Vlerësimit për pasuritë e paluajtshme ngrihet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe do të përbëhet nga jo më pak se 4 anëtarë. Komisioni i Vlerësimit do të kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën përkatëse, ku ndodhet objekti dhe në përbërje të tij do të jenë përfaqësuesi i institucionit në administrim së të cilit ndodhet objekti, si dhe grupi i ekspertëve vlerësues. Ky grup ekspertësh përbëhet nga ekspertë vlerësues të pasurisë së paluajtshme, si dhe ekspertë kontabël të autorizuar të fushës përkatëse, sipas rastit.
5. Miratimi për përfshirjen në procesin e privatizimit të pasurisë së luajtshme, si elemente të veçantë, bëhet nga institucioni përkatës i varësisë administrative. Pas nxjerrjes së miratimit të privatizimit, ky institucion ngre komisionin e Vlerësimit, i cili kryen vlerësimin e pasurisë. Ky komision duhet të ketë jo më pak se 3 anëtarë, kryesohet nga përfaqësuesi përkatës i strukturës administrative dhe në përbërje të tij duhet të ketë një ekspert vlerësues të fushës përkatëse. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj). Në rastin e mësipërm mbulohen nga institucioni ose ndërmarrja në administrim së të cilit ndodhet pasuria.
6. Ekspertët në përbërje të komisionit, të cilët hartojnë aktet vlerësuese, situacionet, genplanet etj., si dhe komisioni i Vlerësimit mbajnë përgjegjësi ligjore për saktësinë e vlerësimit të kryer prej tyre, si dhe për hartimin e dokumentacionit të nënshkruar prej tyre.
7. Ekspertët në përbërje të komisionit të Vlerësimit të pronës se paluajtshme shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore.
8. Komisioni i Vlerësimit me marrjen e urdhrit përkatës, inspekton dhe verifikon gjendjen reale të objektit. Pas këtij verifikimi ekspertët hartojnë programin e punës, ku duhet të argumentojnë kohën e nevojshme për vlerësim (orët e punës), i cili do t’i dorëzohet Kryetarit të Degës së Shoqërive Publike. Pas verifikimit dhe saktësimit të programit të punës nga Dega e Shoqërive Publike, hartohet proces verbali lidhur me orët e domosdoshme për vlerësimin e objektit, i cili firmoset dhe vuloset nga kryetari i Degës së Shoqërive Publike dhe ekspertët. Ky proces verbal në origjinal përcillet në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe më pas hartohet kontrata e pagesës së ekspertëve me palën shtetërore, drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Tregtare pranë kësaj  ministrie. Në këtë rast, pagesa e ekspertëve lidhur me misionin e vlerësimit do të bëhet për çdo miratim privatizimi. Paga orare do të jetë 1500 lekë (njëmijë e pesëqind) për orë pune. Në rastin e vlerësimit të objekteve, që do të përfshihen në fondin e kompensimit fizik për ish-pronarët, pagesa e ekspertëve do të bëhet sipas procedurës së mësipërme (dokumentacioni i duhur për të vërtetuar punën) për çdo objekt të vlerësuar dhe paga orare do të jetë 1500 lekë (njëmijë e pesëqind) për orë pune. Pagesa në të dy rastet e mësipërme do të kryhet nga të ardhurat e marra nga privatizimi dhe dhënia me qira e pronës shtetërore nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Për rastin kur objektet, pasi janë zbritur nga kapitali themeltar i shoqërive tregtare shtetërore, janë miratuar për privatizim, ekspertët vlerësues dhe kontabël që do të kryejnë vlerësimin e objektit, sipas miratimit të privatizimit do të paguhen nga shoqëria. Kontrata e pagesës së ekspertëve do të lidhet ndërmjet ekspertëve dhe titullarit të shoqërisë, sipas orëve të punës të negociuara ndërmjet tyre. Pagesa e ekspertëve për vlerësimin e pasurive të shoqërive tregtare shtetërore, të formës anonime ose me përgjegjësi të kufizuar, mbulohet nga shoqëritë përkatëse. Në rast mospagese nga ana e shoqërisë, atëherë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës merr përsipër pagesën e ekspertëve.
9. Truall që privatizohet, konsiderohet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale rreth tij, e përcaktuar sipas genplanit të objektit, që është pjesë e dokumentacionit të privatizimit, që përgatit komisioni i Vlerësimit të ndërmarrjes sipas pikës 3, 4 të kreut III-të të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.794, datë 21.11.2007.
10. Kur ish-pronari i truallit është pronar i objektit, duke përdorur të drejtën e parablerjes sipas pikës 2, kapitulli IV i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.794, datë 21.11.2007 trualli kalon në favor të tij pa shpërblim. Ndërsa kur ish-pronarët e truallit nuk kanë përfituar objekt në trojet ish-pronë e tyre, iu lind e drejta e kompensimit fizik për të shlyer trojet e shitura, siç përcaktohet në nenin 4 të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e trojeve”.
11. Në zbatim të pikës 9 në kreun e III-të, komisioni i Vlerësimit pas marrjes së dokumentacionit nga organi i qeverisjes vendore, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin, nëse trualli përkatës ka pronarë të njohur, si dhe çmimin e shitjes së truallit në zonën përkatëse, përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.183, datë 28.4.2005 “Për miratimin e metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet dhe asaj, që do të shërbejë për kompensim”. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin aktual të tregut të shitjes së truallit që do të privatizohet.
12. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit në bazë të kërkesës së tyre për çdo pronar bëhet në bashkëpronësi të pandashme mes pronarëve të objektit. Bashkëpronarët u nënshtrohen dispozitave të Kodit Civil

Shembulli
- Objekti me 3 kate është ndërtuar mbi një sipërfaqe 500 m2 (sipërfaqe ndërtimi + mjedisin e përbashkët + sipërfaqen e bordurës + sipërfaqen e truallit në oborr, nëse ka).
- Sipërfaqja e ndërtimit pa ambientet e përbashkëta është 1250 m2 dhe për çdo kat është: kati i I-rë 450 m 2 dhe kati II-të 450 m2 dhe kati III-të 350 m2 .
Llogarisim koeficientin (k)
K= Sipërfaqe trualli/Sipërfaqe ndërtimi
K=500 m2 / 1250 m2
K= 0.4
Koeficienti është konstant, duke u shumëzuar me sipërfaqet përkatëse të ndërtimit që zë secili pronar, jep sipërfaqen përkatëse që i takon të privatizojë secili pronar. Në një kat mund të jenë një ose më shumë pronarë. Në rastin tonë në shembull kemi vetëm nga një pronar në çdo kat.
Konkretisht:
Për katin I-rë 450 m 2 *0,4=180 m 2
Për katin II-të 450 m 2 *0,4=180 m 2
Për katin III-të 350 m 2 *0,4=140 m 2

Këto sipërfaqe, të cilat përcaktohen nga ekspertët vlerësues, duke u shumëzuar me çmimin për m 2 të llogaritur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Truallit ish-pronarëve, japin vleftën që duhet të paguajë në lekë secili pronar.
13. Në zbatim të pikës 11, kreu III, për rastet e privatizimit tërësor të ndërmarrjeve, të linjave të shërbimit dhe të prodhimit, të objekteve së bashku me makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit. Objektet ndërtimore të veçanta, pasi të kenë kaluar të gjitha procedurat, do të kontrollohen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe do të dërgohen në Ministrinë e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike). Ndërsa dokumentacioni i vlerësimit të pasurive të luajtshme, si makineritë dhe pajisjet, mjetet e transportit, mjetet e xhiros etj., që privatizohen të veçuara, pasi përgatitet nga komisioni i Vlerësimit, përcillet prej tij në degën e shoqërive publike përkatëse, e cila pas kontrollit e dërgon në Ministrinë e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike).
14. Vlerësimi i aseteve, kontrata e shitjes së të cilave është shpallur e pavlefshme nga gjykata, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme dhe dosjet e tyre janë kthyer në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nga Ministria e Financave, bëhet nga komisioni i Vlerësimit, i ngritur për këtë qëllim nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas gjendjes faktike të tyre, duke përcaktuar vlerën e tregut.
15. Në zbatim të pikës 2 të kreut IV-t të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.794, datë 21.11.2007, privatizimi (shitja) i objekteve dhe i truallit të tyre, makinerive, pajisjeve etj., bëhet me lekë.
16. Në zbatim të pikës 4, kreu i IV-t, për rastet e shitjes së objekteve, për të cilat është konfirmuar se ka pronar trualli, Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike) afishon njoftimin në ambientet e saj, ndërsa dega e shoqërive publike përkatëse (sipas të dhënave të dërguara nga DASHPP) në objekt dhe ambientet e ndërmarrjes që e administron atë. Ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, brenda një afati 20-ditor nga dita e publikimit (afishimit), duke depozituar kërkesën me shkrim, në të cilën shprehet se dëshiron të blejë objektin në fjalë, dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20% të vlerës së objektit (mjete kryesore+mjete xhiro), pa vlerën e truallit që kërkon të blejë, dhe vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve të noterizuar apo çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, i cili përcakton se ai është pronar i tokës.
17. Drejtori i Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike për çdo rast për verifikimin e dokumentacionit të pronësisë, sipas dosjes së vlerësimit të dërguar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ish-pronarit të truallit, krijon komisionin e përbërë nga shefi i sektorit të shitjes së pronave, një specialist dhe një jurist.
18. Në rast se brenda këtij afati kohor ish-pronari nuk paraqitet, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike bën një njoftim të dytë në një afat prej 30 ditësh në dy gazeta me qarkullim kombëtar dhe njoftohet pronari. Nëse edhe pas këtij njoftimi nuk paraqitet pronari i truallit për blerjen e objektit, atëherë realizohet shitja me ankand e objektit dhe e truallit, sipas procedurave të këtij vendimi. Vlera e truallit, e përcaktuar në dosjen e vlerësimit, do të derdhet në llogari të AKKP-së për të kompensuar pronarin.
19. Në rastet kur konfirmohet se objekti nuk ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, ai i nënshtrohet ankandit, sipas procedurave të këtij vendimi dhe në qoftë se ditën e zhvillimit të ankandit paraqitet subjekti i shpronësuar me dokumentet përkatëse të pronësisë, atëherë ai gëzon të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare të tij. Për rastet kur komisioni i Ankandit ka vështirësi në vlerësimin e dokumentacionit të pronësisë të paraqitur nga pronari i truallit, atëherë ai cakton një datë tjetër për zhvillimin e tij brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e mëparshme, me qëllim që të vlerësojë dokumentacionin e pronësisë. Ky afat miratohet edhe nga drejtori i Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike.
20. Për rastet kur në ankandin për shitjen e objekteve apo aseteve me vlerë fillestare, me vlerë të ulur dhe me rezervë paraqitet vetëm një kërkesë përpara komisionit të Ankandit, komisioni duhet ta evidentojë këtë kërkesë në procesverbalin e ankandit dhe objekti t’i nënshtrohet procedurës së ripublikimit sipas pikës 21, kapitulli IV i këtij vendimi.
21. Në zbatim të pikës 5, kapitulli i IV-t, me mbërritjen e dokumentacionit të privatizimit për shitjen e makinerive, automjeteve, pajisjeve dhe mjeteve të punës, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike afishon njoftimin në ambientet e saj dhe një kopje të afishimit e dërgon në degën e shoqërive publike të prefekturës ku ndodhet ndërmarrja që i ka në administrim ato për t’i afishuar në ambientet e saj. Punonjësit që i kanë ose i kanë pasur në përdorim makineritë, automjetet, pajisjet apo mjetet e punës dhe dëshirojnë t’i blejnë, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike brenda afatit 20-ditor të afishimit, kërkesën me shkrim dhe dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20% të vleftës së pronës që kërkon të blejë, si dhe vërtetimin që i ka apo i ka pasur në përdorim këto asete, lëshuar nga drejtori i ndërmarrjes.
22. Në rast se punonjësit, që i kanë pasur ose i kanë në përdorim mjetet, nuk paraqesin kërkesë për blerjen e tyre brenda afatit të përcaktuar më lart, ato kalojnë në publikim sipas procedurave të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.794, datë 21.11.2007. Në këtë rast Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike njofton dhe organet e rendit në prefekturë për automjetet apo mjetet e transportit, që janë në procedurë privatizimi për t’i bllokuar ato deri në përfundimin e privatizimit të tyre. Me lidhjen e kontratës së shitblerjes, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike njofton organet përkatëse të rendit për transferimin e lejes së qarkullimit të automjetit te pronari i ri, konform akteve normative në fuqi.

23. Në zbatim të pikës 7, kapitullit i IV-t, punonjësit specialistë, farmacistë ose stomatologë, që kanë aktualisht kontratë qiraje për objektin, kanë të drejtën e parablerjes (me kushtin që këta specialistë të kenë zbatuar me korrektësi kontratën e qirasë, të jenë regjistruar në organet tatimore për ushtrim aktiviteti, të ushtrojnë profesionin në objektin përkatës etj). Sipas çmimit të përcaktuar në ankand (çmimi më i lartë i dhënë nga pjesëmarrësit në ankand u ofrohet punonjësve të këtij shërbimi, në rast se çmimi i arritur në ankand nuk pranohet nga punonjësit e këtij shërbimi, atëherë komisioni shpall fitues pjesëmarrësin, që ka dhënë çmimin më të lartë në ankand), vetëm në ato raste kur për këto objekte nuk ka pronarë trualli të njohur me vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, të cilët kanë të drejtën e parablerjes.
24. Në rastin kur është konfirmuar në dosjen e vlerësimit, apo kur subjektet e shpronësuara të truallit të objektit kanë paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë dhe kërkesën për blerjen e objektit sipas pikës 16 të kapitullit IV, por nuk paraqiten në ankandin e objektit, që ndodhet në pronën e tyre, komisioni i Ankandit evidenton kërkesat për blerje në procesverbalin përkatës dhe cakton një datë tjetër për zhvillimin e tij brenda shtatë ditëve nga data e mëparshme e zhvillimit të ankandit, duke njoftuar edhe njëherë pronarët e truallit. Nëse edhe në këtë datë pronarët e truallit nuk paraqiten për blerjen e objektit me të drejtën e parablerjes, atëherë Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike do të veprojë sipas pikës 4, germa “b”, kapitulli IV i këtij vendimi.
25. Në zbatim të pikës 41, kapitulli IV, i këtij vendimi, vlerësimi i investimeve të pasurisë së paluajtshme në rastet e pasurive shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë, do të bëhet nga ekspertë vlerësues të licencuar të pasurisë dhe eksperti kontabël, i autorizuar, të miratuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i cili urdhëron fillimin e procedurës së mësipërme.
26. Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike, sektori i monitorimit të qirasë, i paraqet për miratim Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vlerën e investimeve të kryera nga qiramarrësi dhe të vlerësuar nga ekspertët përkatës. Me miratimin e vlerës së investimeve, Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike bën krahasimin e kësaj vlere dhe vlerës së truallit, të përcaktuar sipas çmimit të truallit të konfirmuar nga AKKP dhe sipërfaqes së truallit në kontratën e qiramarrjes. Nëse vlera e investimeve të kryera është mbi 150% e vlerës së truallit, Ministri nxjerr urdhrin për përgatitjen e dokumentacionit të privatizimit.
27. Në zbatim të pikës 10 kreu IV, ankandi do të zhvillohet mbi vlerën e mjeteve kryesore+vlera e truallit, ndërsa vlera e mjeteve të xhiros do të shtohet sipas inventarit fizik, në çastin e dorëzimit të objektit.
28. Gjithashtu, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike me urdhër të drejtorit, si dhe me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, mund të përdorë edhe forma të tjera publikimi në media televizive, postera etj. Shpenzimet e publikimit do të përballohen nga të ardhurat e privatizimit.
29. Në zbatim të pikës 15, kapitulli i IV-t, pjesëmarrësit në ankand në vendin, datën dhe orën e njoftuar duhet të paraqesin pranë komisionit të ankandit edhe dokumentin e identifikimit të tyre (letërnjoftim, certifikatë me fotografi). Disa persona kanë të drejtën e paraqitjes për blerje të objektit së bashku me një kërkesë të vetme. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin bankar që përmban emrat e personave që bashkohen në këtë blerje. Në rast të paraqitjes së një blerësi, personat e tjerë kërkues duhet të përfaqësohen me prokurë.
30. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, për raste kur në dokumentacionin e vlerësimit të objektit të dërguar për privatizim, nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konstaton mospërputhje të hartës treguese me genplanin e dosjes apo ka mungesa të të dhënave hartografike në HTR etj., kërkon informacion plotësues nga ZVRPP.
31. Në zbatim të pikës 22, kreu IV, pas shpalljes së fituesit të ankandit për shitjen me rezervë (për afatin më të shkurtër kohor të likuidimit të vlerës së objektit+vlerën e truallit+vlerën e mjeteve të xhiros), Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave nënshkruan me fituesin e ankandit aktmarrëveshjen në të cilën pasqyrohen afatet e likuidimit, vlera e kësteve që do të shlyhen, dorëzimi i objektit etj. Kjo aktmarrëveshje do të jetë pjesë përbërëse e kontratës së shitjes që do të lidhet për objektin.
32. Në zbatim të pikës 35, kreu i IV-t, personi që ka fituar të drejtën e blerjes për objektin dhe nuk paguan vlerën e plotë të tij brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së tij si fitues ankandi apo pronar trualli, humbet vlerën prej 20% të paguar për pjesëmarrje në ankand, si dhe të drejtën për të marrë pjesë përsëri në ankandin që do të zhvillohet për rishitjen e objektit në fjalë.
33. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në përputhje me kërkesat e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, dhe për procedurën e shitjes” dhe këtij udhëzimi për zbatimin e këtij vendimi ka të drejtë të hartojë dhe të miratojë rregulloren e brendshme për zhvillimin e ankandit, si dhe të nxjerrë urdhrat përkatëse në përputhje të akteve ligjore në fuqi, për të rritur efikasitetin e privatizimit.
34. Publikimi për shitje për objektin që do të privatizohet, përveç informacionit plotësues të përcaktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, përmban edhe tabelën me të dhënat sipas formatit si më poshtë: tab

35. Për rastet e publikimit (afishimit) për ish-pronarët e truallit (tabela do të jetë e njëjtë vetëm se në kolonën “Vlera fillestare e ankandit do të jetë (Vlera e mjeteve kryesore + vlera e mjeteve të xhiros) pra, pa vlerën e truallit”.
36. Në zbatim të pikës 9, kreu i IV-t i këtij vendimi, dokumentacionet e vlerësimit të objekteve ndërtimore të pa shitura edhe pas zbatimit së të gjitha fazave të shitjes së këtij vendimi, do të përcillen në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për t’u përdorur si fond kompensimi fizik. Ndërsa dosjet e vlerësimit të makinerive, pajisjeve etj., të cilat kanë mbaruar procedurën e privatizimit dhe rezultojnë të pa shitura kthehen në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kjo e fundit i kthen në ndërmarrje apo institucionin e varësisë administrative, i cili zbaton procedurat përkatëse ligjore të nxjerrjes jashtë përdorimit të tyre.
37. Udhëzimi nr. 1, datë 27.12.2007 “Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes” shfuqizohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›