Akuzë tutorëve dhe prostitutës
TIRANE – Materialet hetimore të policisë së Tiranës mbi arrestimin në flagrancë së ndërmjetësit 18-vjeçar dhe taksistit, mbërritën dje në Prokurorinë e kryeqytetit. Institucioni hetimor ka vlerësuar se ndaj dy të arrestuarve do të formulohet akuza “shfrytëzim prostitucioni”, kurse vajza do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë me akuzën “ushtrim prostitucioni”. Një trajtim i tillë ligjor i çështjes vjen pas ndryshimeve të viteve të fundit në ligjet shqiptare, të cilat në përpjekje për frenimin dhe minimizimin e fenomenit, përcaktuan se veç tutorëve dhe personave që detyrojnë të dëmtuarat, do të ngrihet akuzë dhe do të ndiqen penalisht edhe vajzat që bëhen pjesë e një aktiviteti të tillë kriminal. Shifrat e shfrytëzimit të prostitucionit raportohen në rënie vitet e fundit megjithatë ato, nuk përfshijnë rastet ekzistuese të pa zbuluara apo të pa denoncuara në organet e policisë së shtetit. Për këtë shkak, të dhënat zyrtare lidhur me rastet e shfrytëzimit të prostitucionit, rrallë ndodh të përputhen me gjendjen reale të kriminalitetit.