Shpërthim me eksploziv në Vlorë, vdes gjyqtari

Një shpërthim i fuqishëm tritoli i ka marrë jetën një gjyqtari në Vlorë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën kryesore. Makina e 33-vjeçarit, Skerdilajd Konomi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka shpërthyer sapo ai ka lëvizur automjetin, të cilin e kishte të parkuar. Sapo automjeti ka ecur disa metra, ka ndodhur shpërthimi. Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se 33-vjeçari ka arritur të dalë nga automjeti, e më pas është transportuar drejt spitalit rajonal. Dëmtimet kanë qenë të shumta, në organe, por edhe gjymtyrë. Si pasojë e gjendjes dhe dëmtimeve të rënda, ai ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar specialistë të strukturave të policisë, krerë të saj, ndërkohë që mjaft kolegë, prokurorë e gjyqtarë kanë qenë prezent gjatë paradites në vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe në ambientet e spitalit rajonal. Dëshmitarët kanë pohuar se 33-vjeçari ndodhej në atë zonë ku kishte pirë kafen dhe kishte marrë më pas automjetin e parkuar. Benzi me targa Vl 6383 B fillimisht është tronditur nga shpërthimi i fortë, e pas kësaj është përfshirë nga flakët. Nga të dhënat e para paraprake, mendohet të jetë një shpërthim i aktivizuar me anë të tritolit.
Skena vjen e ngjashme me atë të shpërthimit pranë rrethit në Skelë, pak muaj më parë, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë. Ende nuk jepet asnjë version zyrtar në lidhje me sulmin, ndërsa pozicioni i tij i punës nuk ka përjashton mundësinë e ndonjë sulmi për shkak të detyrës. Nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar të tjerë.
Topi: Aktin është atentat ndaj sistemit të drejtësisë
Menjëherë pas ngjarjes Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dënuar aktin kriminal që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. “Ky sulm mafioz dhe brutal, që mori jetën e gjyqtarit, është një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Atentati ndaj një gjyqtari përbën kërcënim për shoqërinë dhe institucionet e shtetit”, është shprehur presidenti. Topi u kërkoi të gjitha autoriteteve përgjegjëse zbardhjen dhe dënimin e merituar të autorëve. /shekulli/