E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Shna Ndoit, 150 pelegrinë në urgjencë



KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Të paktën 150 pelegrinë që ndodheshin dje tek Kisha e Shna Ndoit në Laç u paraqitën në urgjencën mjekësore që ishte vendosur në afërsi të kësaj kishe nga Drejtoria e Shëndetit Publik të Kurbinit. Shkak për këtë numër të madh të pelegrinëve që shfaqën probleme shëndetësore, sipas Drejtorit të DSHP–së Arben Bruka ka qenë moti i nxehtë. Simptomat me të cilën janë paraqitur qytetarët për ndihmë mjekësore kanë qenë hipertensioni, temperatura si dhe probleme të tjera. Sipas Brukës, numri i madh i pelegrinëve, radhët e gjata për të ardhur tek kisha si dhe rruga për rreth 1 orë në këmbë kanë sjellë probleme edhe për shkak të diellit të fortë e vapës. Gjashtë mjekë dhe gjashtë infermiere, të cilët ishin vendosur në ambientet e kësaj qendre për emergjencat shëndetësore e përballuan më së miri situatën. Sipas tyre, rastet e paraqitura nuk kanë qenë të rënda. Pranë kishës ishin vendosur edhe dy ambulanca për çdo rast të papritur, pasi ashtu sikurse pritej, mijëra besimtarë i janë ngjitur malit të shenjtë. Në 30 raste, pacientët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit menjëherë pasi morën ndihmën e parë në urgjencën e instaluar pranë Kishës. Të sëmurët ishin kryesisht të moshuar, por kishte ndër ta edhe të rinj të cilët vinin nga rrethet e largëta si Saranda, Vlora, Gjirokastra, por edhe nga Shkodra, Elbasani etj. Ky shërbim kryhet për herë të parë në Kishën e Shën Ndout. Disa pelegrinë që shfaqën probleme shëndetësore kishin qëndruar prej 24 orësh në malin e shenjtë. Asnjëri prej tyre nuk pranoi të largohej nga Kisha për t’u dërguar në spital. Dita e Shna Ndoit në Kurbin u mbyll pa asnjë incident, ndërsa forcat e policisë kanë qenë në shërbim për 24 orë. Dita e 13 Qershorit mbylli edhe ritualin e 13 të martave të Shën Ndout. Shenjti vdiq në moshën 36-vjeçare dhe pas vdekjes në të 13 të martat rresht pati nga një mrekulli. Edhe në ditët e marta të vitit, qindra pelegrinë ngjitën në malin e shenjtë për t’u lutur e ndezur qirinj për njerëzit e tyre të dashur. Edhe dje, me shpresën se Shna Ndoit do u plotësojë dëshirat, pelegrinët kanë vazhduar ritualin e lutjeve duke sfiduar edhe temperaturat e larta. Ndërkohë që gjatë natës, mijëra besimtarë kanë qëndruar në mal, duke dashur të plotësojnë një nga ritet më domethënëse të kësaj dite. Mjaft pelegrinë vinin nga rrethe të largëta të vendit. Ata u shprehën se kanë ardhur gjatë 13 të martave, duke kryer edhe lutjet e ndezjet e qirinjve. Ndërkohë, dita e djeshme ka shënuar edhe fluksin më të madh të makinave në qytet. Qindra mjete me targa të ndryshme kishin ardhur me besimtarë për t’u ngjitur më pas në këmbë gjatë malit, rrugë e cila zgjat për rreth një orë. Pikërisht rruga e gjatë, vapa dhe mbipopullimi janë edhe shkaqet që sipas mjekeve ndikuan në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të disa pelegrinëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›