Gjirokastër-Kakavijë, mungon sinjalistika
GJIROKASTER - Të udhëtosh natën në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije është tepër e vështirë për shkak të mungesës së sinjalistikës fluoreshente, e cila është dëmtuar prej një kohe të largët kohore. E megjithëse kjo është konstatuar nga drejtuesit e Ndërmarrjes së Rrugëve, këta të fundit janë mjaftuar duke marrë masa gjysmake dhe larg nevojave për të plotësuar atë boshllëk të munguar. Shpeshherë mungesa e sinjalistikës anës karaxhatave të superstradës Gjirokastër-Kakavije, sipas inspektorëve të Policisë Rrugore, është bërë shkak për provokimin e aksidenteve automobilistike. Kjo sipas tyre vjen si rrjedhojë e humbjes së fushëpamjes, pasi nuk mund të orientohen dot nga shenjat në këtë aks. Ndërkaq Ndërmarrja e Rrugëve ka konstatuar edhe dëmtime të tabelave orientuese në të gjithë aksin veri-jug Tepelenë-Gjirokastër-Kakavije me një gjatësi 60 km, dëmtuesit e të cilave kanë qenë drejtuesit e mjeteve të rënda. Superstrada Gjirokastër-Kakavije e gjatë 30 km, ka përfunduar në vitin 2003. Deri më tani gjendja fizike e saj është e kënaqshme dhe asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk është ndërhyrë në bazament, por vetëm në zëvendësimin e tabelave orientuese dhe sinjalistikës së dëmtuar nga persona të papërgjegjshëm. Gjithmonë sinjalistika fluoreshente ka rënë pre e grabitësve dhe në të njëjtën kohë është zëvendësuar nga Ndërmarrja e Rrugëve. p.n