Shpërthim në Bujanoc, plagoset rëndë një polic

Polici i Bujanocit, Blerim Mustafa i cili u lëndua rëndë nga shpërthimi i fuqishëm në mbrëmjen e së dielës, u dërgua në Qendrën e Emergjencës në Beograd. Drejtori i kësaj Qendre, Vlladimir Gjukiç thekson se gjendja e policit të lënduar Blerim Mustafa është serioze sepse i janë lënduar të dyja këmbët, kafazi i krahrorit, koka dhe ka dy brinjë të thyera.
Të lënduarin e ka vizituar edhe Ministri serb i Policisë, Ivica Daçiq i
cili duke dënuar sulmin tha se hetimet e parë flasin për një vendosje
joprofesionale të mjetit shpërthyes, sepse bilanci do të ishte fatal për
të gjithë ata që ishin në afërsi, në momentin e shpërthimit. Përveç
policit, Blerim Mustafa, me rastin e shpërthimit janë plagosur edhe
bashkëshortja e tij Lucia dhe dy kalimtare të rastit.
Shpërthimi i makinës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të
Serbisë ka ndodhur disa qindëra metra afër godinës së Komunës Bujanoc,
në cepin e Rrugës së Kosovës e cila është e banuar me shumicë shqiptare
Më 12 nëntor të vitit 2001, edhe ndaj familjës së vëllaut të Blerim
Mustafës, Besnikut është gjuajtur me armë zjarri dhe si pasoje është
lënduar fëmija 4-vjeçar dhe e ëma. Në atë kohë Besniku ishte duke vijuar
kursin për polici multietnike në të cilën Blerimi është tashmë aktiv.
Banorët e Bujanocit theksojnë se Blerimi disa herë ishte në shënjestër
të sulmeve të ndryshme dhe ka marr kërcënime nga disa bashkëqytetarë të
cilët nuk ishin dakord me angazhimin e tij në polici.
Agim Popoci