“Trafikanti shfrytëzoi në Greqi fëmijën që bleu 100 mijë lekë”
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjyq një person të akuzuar për “trafikim të miturish”, duke zbardhur historinë e një djali 9-vjeçar, të shitur nga babai i tij për t’u trafikuar dhe shfrytëzuar në Greqi me punë të detyruar. Kujtim Demiri, person i shpallur në kërkim, akuzohet se në vitin 2002 ka blerë një fëmijë në Tiranë nga babai i të miturit dhe më pas të dëmtuarin e ka trafikuar në Greqi, ku e ka shfrytëzuar për të lypur. Hetimi ka filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda më 28 janar 2008, pas dorëzimit të dosjes nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Dosja bënte fjalë për procedimin penal me nr.2445 të vitit 2002 në Prokurorinë e Tiranës, e cila kishte vendosur atëherë pezullimin e dosjes më 29 prill 2003. Hetimet kanë filluar mbi bazën e kallëzimit të bërë nga S.Sefa, i cili ka treguar se ka rënë dakord për të nxjerrë jashtë Shqipërisë djalin e tij të mitur, H. Sefa, me qëllim që i mituri të lypte jashtë shtetit për përfitim material. Sipas prokurorisë, nga veprimtaria e lypjes së fëmijës kishin përfitim babai i tij S.Sefa dhe i pandehuri për trafikimin Kujtim Demiri. Prokuroria tha se pasi është blerë i mituri, dërgimi i tij në Greqi është bërë në mënyrë ilegale. Sipas hetimeve të Prokurorisë, i akuzuari K. Demiri, pas muajit shkurt të vitit 2002 është larguar nga Shqipëria duke mbërritur në Greqi bashkë me fëmijën e trafikuar H.Sefa. Sapo ka mbërritur në Greqi, i akuzuari ka krijuar kushtet dhe mundësitë përkatëse që i dëmtuari të ishte i detyruar të dilte dhe të lypte në rrugë. Prokuroria tha se Kujtim Demiri e ka njohur fëmijën në Tiranë, pasi ka pasur marrëdhënie fqinjësie dhe krushqie me familjen e tij. I akuzuari ka shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të babait të fëmijës dhe ia ka blerë atij të miturin për 100 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që palët kanë bërë marrëveshje, që përveç çmimit të paguar për fëmijën (100 mijë lekë), babai i tij do të merrte çdo muaj nga 100 mijë lekë të vjetra te familja e Kujtim Demirit, që kishte trafikuar fëmijën në Greqi dhe po e shfrytëzonte atje. Prokuroria pohoi se pasi e ka trafikuar fëmijën në Greqi, i akuzuari Kujtim Demiri e ka detyruar atë me dhunë që të dilte dhe të lypte në rrugë ndërsa paratë t’i dorëzonte në mbrëmje. Sipas akuzës, në kohën kur ka ndodhur ngjarja me të, fëmija ishte i mitur pasi i përket datëlindjes 12 qershor 1993. tr.so