E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthim në Mitrovicë,sulmi në shtëpinë e gazetarit



Një mjet shpërthyes është hedhur në oborrin e shtëpisë së kryeredaktorit të Radio Mitrovicës, çasllav Milisavleviç, në Zvecan, duke shënuar sulmin e tretë serioz në veri brenda një periudhe të shkurtër kohore.Zveçani është një komunë e banuar tërësisht nga popullsi serbe dhe ndodhet vetëm dy kilometra larg Mitrovicës. Policia e Mitrovicës e bëri publik lajmin pas denoncimit të Milisavleviç, gazetar i njohur për pikëpamjet e tij të moderuara në komunën me shumicë serbe. Shpërthimi ka ndodhur në 00:35, pas mesnatës së të hënës, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar. Ndër dëmet materiale janë regjistruar dëmtimi i tri makinave të parkuara aty pranë. Pak para denoncimit të gazetarit, policia kishte hamendësuar se shpërthimi kishte si synim një lokal të ndodhur aty pranë. Gazetari Milisavleviç, ka deklaruar se nuk i di motivet e këtij sulmi, ndaj ia ka lënë çdo gjë në dorë policisë, e cila po kryen hetimet rreth rastit. Pas incidentit që ndodhi në fillim të këtij muaji në pjesën veriore të Mitrovicës, kur u vra një mjek e u plagosën 11 persona të tjerë gjatë një tubimi, por edhe pas plagosjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, ky rast është i treti i rëndë, që ndodh pak pas zgjedhjeve të suksesshme në komunën e Parteshit, me shumicë serbe dhe në prag të shpalljes së mendimit të gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Autoritete në Kosovë akuzojnë Beogradin, se me strukturat e tij paralele po përpiqet të destabilizojë veriun, në një kohë kur Kosova ndodhet para një vlerësimi në Hagë. Unioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin e ndodhur në shtëpinë e kryeredaktorit të Radio Mitrovicës, Milisavleviç. Unioni kërkon nga institucionet e Kosovës dhe nga ato ndërkombëtare, që të punojnë më shumë për krijimin e kushteve dhe lirinë e lëvizjes së gazetarëve, të cilëve çdo ditë e më shumë po iu ngushtohet hapësira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›