E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në afërsi të stacionit policor në Zubin Potok

Një shpërthim ka ndodhur në orët e pasmesnatës në afërsi të stacionit policor në Zubin Potok, me ç’rast ka pasur dëme të vogla materiale, por fatmirësisht jo edhe viktima në njerëz.

Policia rajonale e Mitrovicës ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 01.00, në rrethana ende të pasqaruara.

Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në bazë të vlerësimeve preliminare kanë konstatuar se shpërthimi kishte ndodhur nga një granatë dore e llojit “M-75” prodhim jugosllav.

Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal.

Zyrtarët policor të stacionit Zubin Potok, janë duke bërë bisedat e tyre informative me banorët e zonës përreth vendit të ngjarjes, për të ndihmuar dhe kontribuar në mbajtjen dhe ruajtjen e qetësisë në këtë zonë si dhe për të ndihmuar në identifikimin e kryesve të këtij akti kriminal.

Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me detajet e rastit të regjistruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›