E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX’i nuk lajmëroi vendorët për aksionin

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, thotë se ka ushtruar fuqinë e tij ekzekutive me aksionin e policisë të ndërmarrë ditën e mërkurë në pronat private dhe godinën e një ministri të qeverisë së Kosovës.

Policia e EULEX-it ka kryer të mërkurën bastisje në të paktën gjashtë vende në Kosovë, kryesisht në Ministrinë e Transporteve dhe pronat private të ministrit Fatmir Limaj.

Një zëdhënëse e misionit, Karin Limdal, i tha BBC-së se veprimi i policisë së EULEX-it në Prishtinë dhe jashtë saj, ka treguar funksionimin e rendit dhe të ligjit.

“Atë që pamë të mërkurën ishte rendi dhe ligji duke fuksionuar. Disa media paraqitën një qëndrim për të bërë një spektakël. Policia e EULEX-it kreu disa bastisje në zyrat e Ministrisë së Transportit dhe Postë - Telekomunikacionit si dhe në disa prona private të njerëzve që janë të ndërlidhur me këtë Ministri. Dhe kjo është vetëm pjesë e një hetimi që po vazhdon, i cili është i drejtuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm në Kosovë. Në këtë fazë, duhet rikujtuar se kjo është pjesë e një hetimi, dhe gjatë këtyre bastisjeve janë mbledhur materiale dhe ato tani do të jenë pjesë e analizave të Policisë dhe të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm. Por çfarë do të dalë nga kjo është ende heret të thuhet”, tha Limdal.

Limdal tha se EULEX-i nuk ka paralajmëruar më parë autoritetet vendore për veprimet e tij, për të ruajtur fshehtësinë e aksionit policor.

“Zakonisht ne nuk i paralajmërojmë tek askush gjërat që janë të ndërlidhura me hetimet. Kjo do të ishte shumë joprofesionale. Fshehtësia në drejtësi në këto situata është jetike dhe nuk i paralajmërojmë aktivitetet e këtilla më herët”, theksoi ajo.

Ajo këmbënguli se EULEX-i nuk po merr udhëheqjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe u bëri thirrje institucioneve vendore të rendit dhe ligjit që të vihen në krye të kësaj "lufte".

“Sikur e themi gjithnjë, EULEX-i nuk është në Kosovë që të marrë udhëheqjen ose të jetë përgjegjës për rendin dhe ligjin. Por ne kemi disa funksione të kufizuara ekzekutive, të cilat ne i pamë të mërkurën të jenë përdorur. Kjo është pjesë e luftës kundër korrupsionit që nuk ka qenë e udhëhequr nga EULEX-i, por që duhet të udhëhiqet nga institucionet e Kosovës. Kjo sepse korrupsioni është një gjë që nuk gjen vend vetëm në nivele të larta, por për fat të keq shpërndahet në gjithë shoqërinë. Me qëllim të luftimit në mënyrë të drejtë, institucionet e rendit dhe të ligjit në Kosovë duhet të marrin udhëheqjen, me ndihmën e EULEX-it natyrisht”, tha ajo.

Ajo la të kuptohet se hetimet ndaj Ministrisë së Transporteve kanë filluar më herët dhe tha se materialet e mbledhura gjatë aksionit do të analizohen me kujdes nga Policia dhe Zyra e Prokurorit Publik.

“Materiali që ne kemi mbledhur do të analizohet me kujdes nga Policia dhe Zyra e Prokurorit. Nëse kjo do të çojë drejt arrestimeve apo jo është ende herët të thuhet dhe ne duhet të presim. Ashtu si e kemi thënë gjithnjë drejtësia punon ngadalë në një masë dhe asaj duhet t'i jepet një kohë. Përndryshe nuk mund të kryhen hetime të drejta që do të çonin diku. Mendoj se aksionet duhet të flasin vetvetiu”, deklaroi Limdal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›