E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëhet vënia e stendave në arteriet e zemrës

Për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të enjten është bërë vënia e stendës në arteriet e zemrës. Intervenimi është kryer në repartin e Kardiologjisë në Klinikën Interne, ndërsa vendosja e stendave u është bërë tre pacientëve, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile.

Ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ka çmuar lart profesionalizmin e mjekëve të QKUK-së, duke e vlerësuar këtë si sukses të gjithë shëndetësisë kosovare.

“Me kënaqësi konstatoj se pikërisht nga ky vend ne patëm kënaqësinë që kolegët tanë kanë intervenuar te dy pacientë. Tash është i treti duke u stenduar. Konstatoj së pari kënaqësinë time dhe të gjithë kolegëve të mi dhe të gjithë proveniencës mjekësore të QKUK-së. Konstatoj me plot gojën se kemi ekspertë të nivelit më të lartë, të cilët mund të kryejnë punë të mira këtu pa pas nevojë që pacientët tanë të marrin rrugë jashtë Prishtinës. Dhe e dyta, shoh se me një përkrahje të vogël mund të arrihen punë të mbarë”, ka thënë ministri Bukoshi, transmeton Kosovapress.

Ai ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Shëndetësisë për QKUK-në, duke sqaruar se që në fillim të mandatit të tij, po angazhohet për përmirësime të vazhdueshme.

Ndërkohë ka theksuar se do të angazhohet që po ashtu, të ketë furnizim më të mirë me barna dhe material shpenzues për QKUK.

Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadriu, ka thënë se që nga koha e zgjidhjes së tij në këtë post po angazhohet që të vë në funksion shërbime të reja, në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë të dalin jashtë Kosove.

“Dje, e kemi formuar një bord, i cili do të merret me incizimin e gjendjes dhe do të bëjmë investigime të reja”, ka thënë Sadriu.

Me këtë rast, ministri Bukoshi ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vërshimin e ujit në Institutin Onkologjik.

“Përshtypja ime e parë, pa kurrfarë paragjykimi është ajo që ai objekt është ndërtuar, ato ndërmarrje që e kanë ndërtuar i kanë marrë të hollat dhe kanë shkuar. Kam kërkuar menjëherë nga drejtori ekzekutiv që menjëherë të formohet në mes tjerash një komision me ekspertët tanë, që të bëhet një vlerësim, konstatim i mirëfilltë i gjendjes, në bazë të cilës ne mandej dalëngadalë do të punojmë dhe do të shohim ku kanë qenë ato defekte, ato parregullsi, të cilat neve na duhet të mësojmë nga këto pësime në të ardhmen”, ka thënë ministri Bukoshi.

Për më tepër, ai ka thënë se do të kërkojë llogaridhënie se si ka mundur të lëshohet objekti pa pranim teknik.

Pacientët e parë që u janë vënë stendat janë Muhamet Sinani(1969) nga Vushtrria, Habib Meholli (1952) Mitrovicë dhe Fadil Tahiri (1960) nga Prishtina. Vendosja e stendave do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, kurse punën do ta kryejnë ekipi i mjekëve të specializuar nga Klinika Interne.

Deri tani, për ta kryer këtë intervenim, pacientët është dashur të drejtohen jashtë Kosove. Ndërhyrjen e kanë kryer Basri Sejdiu dhe Tefik Bekteshi, të asistuar nga kryeinfermierja Alberie Thaçi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›