E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthim në një banesë në Tiranë, vdes një palestinez

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm banorët pranë Drejtorisë së Higjenës në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Budi” ku një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në një banesë private ku jetonte një shtetas palestinez. Për pasojë dyshohet se ka gjetur vdekjen shtetasi palestinez Anuar Izik 43 vjeç i cili banonte me qera në këtë shtëpi.

Nga të dhënat e para dyshohet se persona ende të paidentifikuar kanë varur një granatë dorë në portën e jashtme, me hekur, të banesës private dy katëshe dhe në momentin kur shtetasi palestinez ka hapur portën granata ka shpërthyer duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Viktima Anuar Izik është menaxher dhe ekonomist i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë dhe dyshohet se shpërthimi mund të ketë ndodhur si pasojë e aktivitetit të tij në Shqipëri.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë dërguar trupin e pajetë të 43-vjeçarit në morgun e spitalit.

Ndërkohë policia dhe ekspertët e anti-terrorit po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›