E Diel, 1 Nëntor 2026

KRYEPROKURORJA: “Hetimi i zyrtarëve dhe bizneseve bllokohet nga njerëzit me imunitet”

Kryeprokurorja Ina Rama sulmon zyrtarët për ndërhyrje gjatë punës

Artan CENA
TIRANË - Kryeprokurorja Ina Rama ka shigjetuar zyrtarët duke deklaruar se imuniteti që ata gëzojnë është pengesë për zhvillimin e hetimeve ndaj tyre. “Imuniteti është pengesë për hetimin e pasurisë së zyrtarëve dhe të bizneseve të rëndësishme”, - tha gjatë ditës së djeshme kryeprokurorja Rama, në takimin me rastin e 1-vjetorit të krijimit të njësive të përbashkëta hetimore, Task-Force. “Të gjithë e dimë se ndërtimi i një procesi penal ndaj një zyrtari të korruptuar apo një biznesi të rëndësishëm është një proces jo i lehtë; së pari për shkak të specifikave të këtyre veprave penale dhe, së dyti, për shkak të peshës së personave dhe interesave të prekura në këtë proces. Kaq i vështirë na ka rezultuar dhe procesi i gjykimit të kësaj kategorie. Detyra jonë është t’i superojmë këto pengesa duke e konsideruar të gjithë punën tonë në këtë drejtim si një sfidë që duhet fituar me çdo kusht”, - tha kryeprokurorja. Gjatë fjalës së saj, Ina Rama theksoi se nëse nuk do të merren rezultate dhe nëse nuk do të mund të dënohen personat që janë hetuar, atëherë puna do të mbetet vetëm në “iluzione dështakësh dhe nuk mund të pranojmë që kjo të ndodhë”.
Problemet
“Puna e njësive është konceptuar që në krijimin e tyre si puna e një skuadre. Prokurorët dhe drejtuesit e njësive kanë për detyrë të bëjnë të ndjehen si anëtarë të një ekipi të gjithë pjesëtarët e njësive, duke shfrytëzuar në maksimum kapacitet e tyre njerëzore në shërbim të detyrave që kanë marrë përsipër të kryejnë”, - tha gjatë aktivitetit të djeshëm kryeprokurorja Rama. Sipas saj, pavarësisht angazhimeve të marra nga anëtarët e njësive, duhet më shumë punë, më shumë seriozitet në kryerjen e funksioneve. “Gjithmonë ka vend për përmirësim, por, që ai të ndodhë duhet që problemet të evidentohen e të bëhen prezente përpara hallkave drejtuese të secilit institucion dhe të merren masat përkatëse për riparimin e tyre”, - theksoi kryeprokurorja. Në vazhdim të fjalës së saj ajo ka kërkuar specializimin e anëtarëve të njësisë nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta për njohjen në brendi të elementeve të këtij lloj kriminaliteti dhe mënyrës së goditjes së tij. “Përballimi me sukses i luftës kundër këtij lloj kriminaliteti (korrupsioni) kërkon njohuri të thelluara dhe vizion të qartë profesional, kërkon fillimisht të kuptosh një skemë korruptive apo një skemë pastrimi parash dhe pastaj të dish të kërkosh provat për ta provuar atë dhe në finale të arrish ta bindësh gjykatën për atë që ka ndodhur përmes një procesi përgjithësisht të vështirë dhe të komplikuar”, - tha Ina Rama.
Ministri Bode
Ministri i Financave, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, tha se qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen më të madhe për njësinë Task-Force. Bode vuri në dukje se Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka bllokuar 4 milionë euro në këtë fushë, duke dërguar për hetim në prokurori 190 raste. Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe zv.drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it, Ylli Alushi. Njësitë e përbashkëta hetimore funksionojnë pranë prokurorive të Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›