E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga së resë, po çonte 11 kg marijuhanë në Greqi



GJIROKASTËR - Një 27-vjeçare është arrestuar teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë sasinë prej 11 kilogramësh lëndë narkotike. Pranvera Këndella është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës gjatë orëve të natës së dy ditëve më parë. Burime zyrtare nga Policia thanë se e reja po udhëtonte drejt Greqisë me autobusin e linjës Gjirokastër-Athinë. Në kufi është ushtruar një kontroll në automjet ku është gjetur droga e fshehur në dy çanta. “Rreth orës 21:00, specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë zhvilluar operacionin e koduar ‘Parukierja’. Në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare kanë realizuar disa kontrolle në disa autobusë të linjave të ndryshme që lëviznin në drejtim të shtetit grek”, - thanë burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës. Në autobusin e linjës Gjirokastër-Athinë, në ndenjësen e parafundit, gjatë kontrollit janë konstatuar dy çanta. Është parë se ato ishin të mbushura me pako të mbështjella me letër natriban. Policia ka ndërhyrë dhe i ka hapur, duke zbuluar se brenda tyre kishte lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Menjëherë janë bllokuar të gjithë pasagjerët dhe vajza, që më pas u vu në pranga. “Në çantat që u gjetën në autobus kishte 11 pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me lëndë narkotike marijuanë me peshë 1 kilogramë secila”, - tha Policia e Gjirokastrës. Ato i përkitnin 27-vjeçares Pranvera Këndella, që ishte ulur në ndenjësen në krah. Vajza ishte nga Gjirokastra, me profesion parukiere. 27-vjeçarja është shoqëruar në ambientet e Policisë së Gjirokastrës për hetimet e tjera, ndërsa autobusi i linjës, së bashku me pasagjerët dhe shoferin, pasi kanë dhënë deklarimet e nevojshme, janë nisur në drejtim të Athinës, tha policia lokale. Rreth orës 23:30, specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë dokumentimin e plotë të këtij krimi dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të Pranvera Këndellës, për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Si prova të sekuestruara janë, lënda narkotike, 1430 euro, një celular dhe pasaporta.

Hetimet
Eksploziv makinës, një i arrestuar e dy në hetim
KRUJË - Një person në pranga dhe dy të tjerë në hetim për shpërthimin e një sasie lënde eksplozive, si dhe mbajtje pa leje të stemave. Policia e Krujës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se është arrestuar në flagrancë Haxhi Brami, 25 vjeç, lindur e banues në lagjen “Seserë”, Krujë. Burimet zyrtare thanë se ndalimi i tij është bërë pasi dyshohet se rreth orës 3:30 të dy ditëve më parë, në Krujë, në bashkëpunim dhe me Erind Sadikun dhe Engjëll Voglin, të dy 21-vjeçarë, dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde eksplozive në autoveturën tip “Benz” me targë H8CJN. Makina është në pronësi të 25-vjeçarit me inicialet Sh. K., banues në Krujë. Gjatë shpërthimit është dëmtuar xhami i parë dhe kofanoja e mjetit. Ndaj dy 21-vjeçarëve policia tha se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë. Pas ndalimit të Bramit, policia ka ushtruar një kontroll në automjetin tip ‘BMË/////’, pronë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale, 1 automatik model 56, 2 krehra pistolete me nga 7 copë fishekë, 2 stema policie, 1 palë pranga, 2 shkopinj gome. Pas ndalimit janë kryer veprimet procedurale për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake” dhe “mbajtjes pa të drejtë e uniformës” në ngarkim të Haxhi Bramit. Ndërkaq, për akuzën e “shkatërrimit të pronës me eksploziv” kanë nisur hetimet ndaj Erind Sadikut dhe Engjëll Voglit. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Krujë.

Falsifikoi dokumentet, ndalohet i kërkuari

KAVAJË - I dënuar më parë për falsifikim dokumentesh, bie në pranga një 63-vjeçar. Policia e Tiranës tha se nga uniformat blu të Kavajës është bërë i mundur kapja dhe ndalimi i Mehmet Dumllakut, banues në fshatin Synej, i padënuar. Ky person ishte shpallur në kërkim më datë 5 korrik 2009 nga Komisariati i Policisë Durrës, pasi Gjykata e këtij rrethi, me vendim të datës 8 maj 2009, e ka dënuar në mungesë me 16 muaj burg për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Pas ndalimi 63-vjeçari është dërguar në Policinë e Durrësit, që do të bëjë hetimet e tjera.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›