E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në stacionin e policisë në Zubin Potok

Prishtinë, 28 gusht – Një mjet shpërthyes dhe një automjet i një pjesëtari të Policisë së Kosovës, kanë shqetësuar të shtunën në orët e hershme të mëngjesit banorët e Zubin Potokut dhe kanë alarmuar oficerët e policisë. Sulmi ka ndodhur rreth orës dy pas mesnate, ndërsa fatmirësisht nuk është shkaktuar asnjë viktimë në njerëz, përveç dëmeve materiale.
“Në bazë të raporteve të para policore, të siguruara nga hetuesit policorë, mësohet se
mjeti eksplodues, i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer në oborrin
e stacionit policor në Zubin Potok, ka shkaktuar dëme të vogla materiale në dy
automjetet e policisë së Kosovës, si pasojë e shpërthimit, ndërsa automjeti privat “Opel
Corsa”, pronë e një pjesëtari të Policisë së Kosovës, është djegur tërësisht 
nga zjarri i iniciuar”, thuhet në një njoftim të lëshuar për media nga policia. Ekzaminimi i vendit të ngjarjes, sipas njoftimit, është proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të Drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë dhe njësisë së specializuar për identifikim të mjeteve eksploduese.
Policia ndërkohë ende nuk i din motivet e sakta të këtij sulmi. “Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në bazë të vlerësimeve preliminare kanë konstatuar se shpërthimi kishte ndodhur nga një granatë dore e llojit “M-57”, prodhim jugosllav, ndërsa është konstatuar se në vendngjarje nuk kishte krater të shkaktuar, pasi që besohet se granata ka shpërthyer derisa ishte në ajër, ende pa rënë në tokë”, ka bërë të ditur policia rajonale e Mitrovicës. Policia beson se fillimisht i ishte vënë zjarri veturës së pjesëtarit të policisë që gjendej 40 metra larg stacionit, e më pas është hedhur granata e dorës në oborrin e policisë.
Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz, ndërsa në momentin e shpërthimit, në
stacionin policor ishte vetëm zyrtari kujdestar i Policisë së Kosovës, njëherësh pronar i
automjetit privat të shkatërruar.
Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal, thuhet më tutje në njoftim. Rasti, sipas burimit të Koha.net është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë është informuar lidhur me detajet e rastit të regjistruar. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›