E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim tritoli fare pranë banesës së gjyqtares në Sarandë

Rreth 200 gramë eksplozivë u vendosën pranë banesës së gjyqtares Ketra Bajrami

Banesa e një gjyqtareje në qytetin e Sarandës, dyshohet se ka qenë në shënjestër të personave ende të panjohur të cilët kanë vendosur eksploziv në portën kryesore duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ka ndodhur në orën 04.00 të ditës së djeshme, në lagjen nr 2 të qytetit jugor bregdetar. Një sasi lënde plasëse që dyshohet se është e llojit tritol, ndoshta rreth 200 gramë, ishte vendosur në vendpushimin e katit të pestë, pak metra larg banesës së gjyqtares Ketra Bajrami, 37 vjeçe, lindur e banuese në qytetin e Sarandës. Policia tha se për shkak se tritoli shpërtheu pranë banesës së gjyqtares, po e verifikon si pistë, mundësinë e vendosjes së lëndës plasëse, si sinjal paralajmërues ndaj saj, ndërkohë që tha se nuk përjashton as pistat e tjera. Gjithsesi, policia konfirmoi se dëmet më të mëdha i ka marrë apartamenti afër banesës së gjyqtares Ketra Bajrami, kurse kësaj të fundit, i janë shkaktuar vetëm dëme të vogla.
Rreziku
Qeveria është duke hartuar një projektvendim që parashikon se gjyqtarët që për shkak të detyrës u rrezikohet jeta, familja apo pasuria do të mbrohen me masa speciale nga shteti. Ky rregull në të vërtetë është i vlefshëm për gjyqtarët që janë pjesë e kolegjeve penale të gjykatave të dy niveleve të Krimeve të Rënda. Garancia jepet nga Ministria e Drejtësisë, e cila ditët e fundit përgatiti projektvendimin që mori miratimin e qeverisë vetëm pak ditë më parë. Ndërsa gjyqtarët e Shkallës së Parë do të kenë të njëjtën mbrojte si qytetarët e thjeshtë. E thënë ndryshe, në rastet kur ata e ndiejnë se u kanoset jeta, atëherë do të bëjnë kërkesë për mbrojtje speciale fizike. Sipas ligjit më të ri për sigurinë e gjyqtarëve në vend, gjyqtarëve të gjykatave për krime të rënda dhe të apelit u sigurohet mbrojta e veçantë personale, familjare dhe pasurore kur për shkaqe që lidhen me detyrën u rrezikohet jeta, familja ose prona, mbrojtje kjo që kupton masat me karakter organizativ dhe profesional.
Kërkesat
Shqyrtimi i kërkesës së gjyqtarit në rrezik do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, që përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Brendshme dhe Financave, Policisë së Shtetit si dhe kryetari i Gjykatës pranë së cilës ushtron detyrën gjyqtari në rrezik. Kur rreziku ndaj gjyqtarit është serioz, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Komision urdhëron strukturat e kësaj policie të marrin masa të menjëhershme që garantojnë jetën, familjen ose pasurinë e gjyqtarit deri në mbledhjen e Komisionit që vleftëson masat e marra. Gjithashtu, ky ligj përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin brenda së cilës sigurohet mbrojtja si dhe masa të tjera që lidhen me këtë mbrojtje. Projektvendimi mësohet se është dërguar për konsultime edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo nismë konsiderohet si tepër pozitive në mbarëvajtjen e punës së gjyqtarëve, të cilët në disa raste kanë rënë preh e sulmeve nga individë të ndryshëm. Pak kohë më parë, një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, mbeti i plagosur me armë zjarri pas një sulmi të hapur ndaj tij, nga persona që ende nuk janë identifikuar nga organet e hetimit. Ndërsa atentati ndaj tij u dënua ashpër nga të gjithë aktorët e sistemit të Drejtësisë si dhe forcat politike.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›