E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Politeknik ende në proces akreditimi të brendshëm



Akreditimi i universiteteve të vendit është ende në fazën e zhvillimit dhe një çështje e papërfunduar nga institucionet e arsimit. Universiteti Politeknik i Tiranës është ende në fazën e procesit të akreditimit të brendshëm të tij, ndryshe, nga disa universitete të tjera publike, të cilat do të fillojnë akreditimin e jashtëm, nëpërmjet agjencive të huaja. Rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani shprehet se në muajin dhjetor do të mbarojë vetëvlerësimi institucional, dhe më tej do të mendohet për procesin e akreditimit. “Do të vazhdojë procesi i vlerësimit të brendshëm dhe pasi të jetë formuluar i gjithë dokumentacioni i vlerësimit të brendshëm për sa i përket së pari; për programet e studimit; së dyti, për të gjithë aktivitetin ekonomik, financiar, menaxherial, të cilët janë elementë për akreditimin e një institucioni. Atëherë do të plotësohet dosja, që besoj deri në dhjetor do t’i dorëzohet ministrisë së Arsimit. Pas kësaj, Ministria e Arsimit vendos për dërgimin e agjencisë së akreditimit”,- deklaroi Jorgaq Kaçani, rektor i universitetit politeknik. Ligji i arsimit të lartë parashikon që nëse një institucion nuk është i akredituar, diplomat e këtij të fundit nuk njihen në tregun e punës. Kaçani shprehet se është në dorë të vetë studentëve të zgjedhin universitetet ku duhet të studiojnë, pasi shumica e tyre janë ende në proces akreditimi, ose nuk e kanë nisur ende atë. “Nuk është përgjegjësia as e ministrisë që ta mbyllë atë institucion, nuk është përgjegjësi as e vetë institucionit për të mbyllur veten e vet, por është përgjegjësia e atij studenti që duhet të zgjedhë në cilin institucion të arsimit të lartë do të shkojë të shkollohet. Do të shkojë në një institucion të arsimit të lartë, i cili është i akredituar, që i jep atij mundësi më shumë për tu punësuar, i jep mundësinë atij të shkojë jashtë shtetit dhe të bëjë të mundur transferimin e krediteve pasi akreditim do të thotë besueshmëri”,- bëri të ditur Kaçani. Një nga universitetet publike, që do të fillojë procesin e akreditimit, është UT. ky proces pritet të fillojë në muajin shtator dhe do të bëhet nga një agjenci e huaj. Menjëherë pas përfundimit të procesit të vetëvlerësimit, UT do t’i kërkojë agjencisë gjermane më prestigjioze të akreditimit në Europë, “AQUIN”, që të realizojë akreditimin e Universitetit të Tiranës. Lidhja e Rektoratit të UT-së me agjencinë “AQUIN” nisi vitin e kaluar, gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të "AQUIN" në Gjermani, ku ishte i pranishëm edhe rektori Dhori Kule, i cili, me autorizim të kryeministrit Sali Berisha, fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e agjencisë gjermane “AQUIN”, ku bisedoi për zbatimin e procedurave të vlerësimit të jashtëm dhe të akreditimit. Me realizimin e akreditimit, UT do të asistojë më vonë edhe në procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në vend. Vlerësimi i Jashtëm i Cilësisë në Arsimin e Lartë do të implementohet në tri faza. Faza përgatitore përcakton se Agjencia Shqiptare e Akreditimit dhe kompania vlerësuese do të hartojnë planin kalendar dhe planin e vlerësimit. Ndërkohë që procesi i vlerësimit të universiteteve dhe Agjencisë Kombëtare të Akreditimit të Arsimit të Lartë do të bëhen paralelisht. Në këtë proces Agjencia e Akreditimit ka për detyrë të sigurojë informacionin e nevojshëm për çdo universitet, ndërsa kompania vlerësuese do të hartojë dhe prezantojë listën për vlerësimin institucional. Pas kësaj, grupi i ekspertëve do të verifikojë në vend të gjitha universitetet publike dhe private sipas axhendës së përgatitur. Agjencia do të koordinojë dhe asistojë të gjithë procesin e verifikimit në vend dhe respektimin e programit paraprak. Faza e fundit përcakton se grupi i vlerësimit paraqet raportet individuale të vlerësimit për çdo universitet të vlerësuar dhe raportin e vlerësimit për agjencinë.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›