E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, debati i munguar në fushatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pothuaj i ka kryer detyrimet në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Dhe sigurisht, për shkak edhe të menaxhimit të keq që vetë KQZ i bëri procesit zgjedhor, partitë politike kanë paraqitur ankesa në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Pra, debati mbi parregullsitë e konstatuara gjatë procesit të votimit, numërimit dhe zgjidhjet që KQZ ka dhënë për ankesat e partive politike, do të zhvendoset në sallat e gjykatave, aq shumë të sulmuara nga klasa politike.

Një nga çështjet që partitë politike do të përballen në sallat e gjyqësorit është fakti se, gjatë fushatës zgjedhore të muajit qershor u debatua mes partive politike mbi çdo gjë të rëndësishme (rrugët, rritja ekonomike, papunësia etj.), madje deri në aspekte që publikut i interesojnë pak ose aspak (jetët familjare të kandidatëve, "mëkatet" e prindërve dhe fëmijëve të tyre). Por asnjëherë nuk u debatua për sistemin e drejtësisë në përgjithësi e për gjyqësorin në veçanti. Sigurisht që fushata do të kishte prioritetet e saj, por një nga prioritetet është edhe sistemi i drejtësisë.

Sikurse u vu re në fushatë, të gjitha partitë politike kishin pjesë të rëndësishme të programit politik: integrimin e Shqipërisë në bashkësinë europiane, ndaj premtuan që, në një të ardhme të afërt do të jemi pjesë e familjes europiane, gjë që në të vërtetë ne shqiptarët e meritojmë. Por, bashkësia, së cilës ne duam t‘i bashkohemi, e ka bërë të qartë se pa një sistem drejtësie të fortë e të pavarur, dita kur do të jemi pjesë e kësaj familjeje nuk është e afërt. Atëherë, pse mungoi një debat mes partive politike për sistemin e drejtësisë dhe pse në programet politike, që u ofruan për publikun, nuk ishte drejtësia një nga prioritet e qeverisjes së nesërme?

Pa dashur të analizojmë arsyet e një debati të munguar mbi drejtësinë, është e qartë se, sistemi i drejtësisë dhe problemet që ai ka, akoma nuk kanë "merituar" vëmendjen maksimale të pushtetarëve në Shqipëri. Sistemi i drejtësisë në tërësi dhe gjyqësori e prokuroria në veçanti, do të jenë edhe për shumë kohë një detaj i vogël në axhendat e politikanëve. Sikurse rëndom në këto 18 vjet, politikanët do të kujtohen për sistemin e drejtësisë, vetëm atëherë kur do të kenë nevojë për shfajësime për dështimet e tyre të shumta në luftën kundër korrupsionit, apo në momentet kur, për interesat e tyre, do t‘i bëjnë presion gjyqësorit në pritje të vendimeve të rëndësishme që lidhen me interesat e tyre individuale apo të partive që u përkasin.

Dhe këto ditë jemi pikërisht në një nga këto momente. Gjyqësori është kthyer në qendër të vëmendjes pikërisht për faktin se, tashmë duhet të shprehet në lidhje me ankesat e partive politike. Sigurisht që, emëruesi i përbashkët në ligjërimet e subjekteve politike do të jetë fakti se, ato kërkojnë drejtësi, paanshmëri dhe vendime të pandikuara nga presionet politike. Partitë politike pretendojnë shkelje të kryera gjatë procesit zgjedhor dhe për ironi të fatit, për këto parregullsi, drejtësinë duhet ta rivendosë gjyqësori që ata e kanë sulmuar e përbaltur kaq shumë. Dhe në këto ditë, ata që nuk shpenzuan kohë dhe energji për strategji konkrete për një gjyqësor të drejtë, të pavarur e të fortë, tashmë do të kërkojnë drejtësi nga ky sistem.

Duhet sjellë në vëmendje se, nga ana tjetër, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor do të jenë në provë para publikut jo vetëm për pavarësinë e tyre individuale por, mbi të gjitha për tërë trupën gjyqësore që ata përfaqësojnë. Është shumë i rëndësishëm të theksohet fakti se, në mungesë të një vullneti politik për të ndërtuar një sistem drejtësie të fortë e të pavarur, janë përfaqësuesit e vetë gjyqësorit, të cilët duhet të përfitojnë nga një moment i tillë e të tregojnë se kanë gatishmërinë dhe vullnetin për të ndërtuar ata vetë një sistem të tillë.

Të ndodhur para presionit të publikut, që pret vendime të drejta, dhe para presionit të partive politike që presin vendime sipas interesit të tyre, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të vendosin nëse do të noterizojnë vendimet e KQZ-së e të përshpejtojnë përfundimin e procesit zgjedhor pa guxuar t‘i shohin ankesat në themel të tyre, apo do të zbatojnë në mënyrë profesionale ligjin, dhe do të vendosin rinumërim apo rivlerësim votash aty ku janë konstatuar shkelje të ligjit, pavarësisht se kjo vjen në kundërshtim me pushtetin e sotëm.

Tashmë është vërtetuar se, shumë parregullsi kanë ndikuar, madje edhe në ndarjen e mandateve në qarqe të caktuara (siç është rasti i Beratit, ku votat e numëruara japin një rezultat, kurse votat e "dërguara" në KQZ japin një tjetër rezultat). Ky është një provim që Kolegji Zgjedhor duhet ta kalojë patjetër për të dhënë një sinjal të fortë se në Shqipëri mund të ndërtohet një sistem drejtësie i pavarur dhe i paanshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›