E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Berishës, reklamat shtetërore me prokurim të drejtpërdrejtë



Habjon Hasani
Një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria shqiptare ka ndryshuar vendimin për reklamat shtetërore në mediat shqiptare. Duke ndryshuar vendimin e marrë nga kjo qeveri një vit më parë, tashmë Ekzekutivi do të shpërndajë reklamat dhe shpalljet shtetërore pa asnjë lloj kriteri. Nga krahasimi del në pah fakti se në vendimin e djeshëm qeveria ka eliminuar kriterin e popullaritetit, lexueshmërisë, dëgjueshmërisë dhe të shikueshmërisë së mediave, çka ishte një element esencial në vendimin e vitit 2007. Sakaq, është eliminuar dhe faktori ”ofertë”, duke shmangur konkurrencën. Ndërsa vendimi i vitit 2007 impononte që të merrej parasysh oferta më e ulët, në vendimin e djeshëm qeveria ka vendosur që komisioni përkatës që do të shpërndajë reklamat dhe shpalljet shtetërore të veprojë sikur në një lojë ”bingo”, duke përzgjedhur pa kritere. Por, nëse i referohesh statusit të komisionit, del se ai nuk është gjë tjetër vetëm një shtojcë e vetë Ekzekutivit, e për rrjedhojë, kuptohet se qeveria, me vendimin e djeshëm, ka vendosur të trajtojë reklamat që sponsorizohen në media nga taksat e shqiptarëve si një pronë private të mirëkontrolluar prej vetë qeverisë. Në përzgjedhjen e ofertave komisioni bazohet në numrin e shikuesve/lexuesve të televizionit, radios apo të shtypit të shkruar, duke shfrytëzuar të dhëna nga autoritetet e specializuara publike, të cilat i bashkëlidhen raportit; në çmimin e dhënë; kur plotësohen kërkesat teknike, të përcaktuara nga komisioni i vlerësimit, çmimi më i ulët ka përparësi. Në rastet e ofertave të dyfishta (prodhim materiali dhe transmetim) për prodhim dhe transmetim ka përparësi numri i shikuesve/lexuesve të televizionit/radios apo shtypit të shkruar”, - shkruhet në vendimin e qeverisë të vitit 2007. Por vendimi i djeshëm e ka skarcuar këtë kusht, duke i hapur rrugë një përzgjedhjeje tërësisht subjektive dhe preferenciale shpërndarjes së fondeve për reklamat shtetërore. ”Titullari i institucionit urdhëron, me shkrim, blerjen, zhvillimin, prodhimin apo bashkëprodhimin e programeve a të reklamave, transmetimin nga operatorët radiotelevizivë ose botimin në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi për çdo rast, duke parashikuar objektin, nevojën e kryerjes së programit/ reklamës/ spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit, numrin e televizioneve dhe përbërjen e komisionit, për ndjekjen e procedurave”, - shkruhet në vendimin e qeverisë, duke mos obliguar komisionin të privilegjojë ofertën më pak të kushtueshme dhe më konkurruese, por duke anashkaluar dhe pozitat dhe reputacionin e mediave që paraqesin ofertën. Sikurse dallohet qartë, qeveria ka ligjëruar eliminimin e konkurrencës mes mediave duke trajtuar fondet e reklamave shtetërore sipas dëshirës dhe ”qejfit” të komisionit të drejtuar prej saj.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›