E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Barazisë, gratë mbesin jashtë Parlamentit

Maxhoranca dhe opozita miratuan dje një ligj që nuk vendos barazi gjinore. 

BLEDAR HOTI

Ligji i debatuar dhe cilësuar si një premtim i klasës politike shqiptare për të realizuar përfaqësim mbi 30 për qind të grave në Parlamentin shqiptar nuk është konkretizuar. Me ndryshimin e bërë së fundmi në ligjin "Për barazinë gjinore" mësohet se Kuvendi, më saktë dy komisionet parlamentare i Shëndetësisë dhe Ligjeve hoqën mundësinë që minimumi i përfaqësimit të grave në Parlamentin e ardhshëm të jetë 30 për qind nga femrat. Me 71 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime është kaluar ligji "Për barazinë gjinore". Votat kundër në këtë sallë kanë qenë të deputetes socialiste Rajmonda Stefa dhe të republikanit Arjan Madhi, ndërsa Hushi dhe Çaçi abstenuan. "Votova kundër, pse ju zoti kryeministër nuk e realizuat atë që kishit premtuar, barazinë gjinore, kjo është një farsë që po bëni me barazinë gjinore, zoti kryeministër", tha pas votimit socialistja Stefa. Ndërsa Berisha ka synuar që të realizojë këtë ndryshim në Kodin e ri Zgjedhor. Neni 20 i këtij projektligji ka qenë debati më i madh mes pozitës dhe opozitës. Në propozimin e sjellë nga dy komisionet parlamentare, në pikën c, të nenit 20 përcaktohet se, "sigurohet përfshirja jo më pak se 30 % të secilës gjini, në listën e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike apo koalicionet politike, për sistemin proporcional për zgjedhjet qendrore dhe vendore". Edhe pse është votuar një herë, debati është hapur në seancë nga nënkryetari i komisionit të Shëndetësisë dhe Punëve Sociale, socialisti Albert Çaçi, i cili kërkoi shpjegime se për çfarë votoi Parlamenti për variantin e qeverisë, apo për propozimet e dy komisioneve për mënyrën e përfaqësimit të grave në Parlament. Çaçi e ka cilësuar jo të drejtë përcaktimin e lënë nga dy komisionet, duke lënë variantin e qeverisë. Ndërsa për këtë çështje ka ndërhyrë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka kërkuar që në Parlament të jenë të paktën 30 % e grave të pranishme të të gjithë deputetëve. "Nëse ne nuk arrijmë atë s'kemi arritur asgjë, por duhet të përcaktojmë atë te Kodi Zgjedhor, ky është propozimi im. Nëse themi 30 % e listës, nuk kemi bërë asgjë. Ne mund të përcaktojmë edhe 60 % të listës, por s'kemi bërë asgjë, nuk do kemi asnjë grua në Parlament. Prandaj t'ia kalojmë komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore", deklaroi Berisha. Por kryekomisioneri Shehu ka qenë i mendimit që të miratohet në këtë mënyrë ligji, pasi përcaktohen standardet dhe komisioni i posaçëm mund të realizojë ndryshimet e nevojshme. Ndërsa debati tjetër ka qenë në lidhje me shtimin e një institucioni tjetër, komisioneri që do të ndjekë këtë proces. Ky shtim i institucionit është kontestuar nga ana e socialistit Bashkim Fino, por është pranuar edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe kryeministri Sali Berisha. Sipas tyre, një gjë të tillë duhet ta realizojë Avokati i Popullit.

debati

Sali Berisha: Nëse ne nuk arrijmë atë s'kemi arritur asgjë, por duhet të përcaktojmë atë te Kodi Zgjedhor, ky është propozimi im. Nëse themi 30 % e listës, nuk kemi bërë asgjë. Ne mund të përcaktojmë edhe 60 % të listës, por s'kemi bërë asgjë, nuk do kemi asnjë grua në Parlament. Prandaj, t'ia kalojmë komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Albert Çaçi: Nëse nuk e ndryshojmë, nuk kemi arritur asgjë për  barazinë gjinore.

Rajmonda Stefa: Votova kundër propozimit pasi qeveria dështoi në nismën e saj për realizimin me 30 % të përfaqësimit të grave në Parlament. Rishikoni nenin 20, për këtë është bërë e gjithë përplasja.
 
Jozefina Topalli: Unë nuk jam kundër, tërhiqeni nismën nëse duhet dhe e rishikojmë nenin. Nëse jeni për votim, atëherë e votojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›