Të ardhurat nga sigurimi motorik, 3.8 miliardë lekë për 2007-n
Të ardhurat nga sigurimet e detyrueshme motorike gjatë vitit 2007 rezultuan në vlerën 3 miliardë e 865 milionë lekë, ndërsa numri i kontratave të shkruara arriti në 338.828. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara në sigurimin motorik zënë peshën kryesore me 65 për qind të të ardhurave totale të aktivitetit sigurues gjatë vitit 2007. Struktura e sigurimeve të detyrueshme, përbëhet nga sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë (TPL e brendshme), kartoni jeshil dhe kontrata e sigurimit kufitar. Primet e shkruara bruto të sigurimit TPL e brendshme për vitin 2007 arritën në rreth 2.58 miliard lekë ose rreth 43 për qind më shumë se në vitin 2006. Në rritjen e tregut të TPL-së ndikuan njëkohësisht rritja e numrit të klientëve dhe ndryshimi i çmimeve minimale të katër muajve të parë të vitit. Në vitin 2007, primet e shkruara bruto të kartonit jeshil ishin rreth 789 milionë lekë ose 22 për qind më shumë se në vitin 2006. Çmimet fikse të këtij produkti janë të detyrueshme për operatorët në treg. Primet e kontratës së sigurimit kufitar gjatë vitit 2007 arritën në rreth 500 milionë lekë, të cilat rezultojnë 5.4 për qind më pak se në vitin 2006. Ulja e të ardhurave nga ky sigurim erdhi për shkak të aplikimit të një çmimi më të ulët nga shoqëritë e sigurimeve.
BSH-ja nxjerr në shitje 3.9 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përfundoi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand u shitën bono me maturim 3-mujor, me vlerë 3.900.000.000 lekë, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën Qendrore. Për këto bono u pranuan të 4 kërkesat konkurruese të paraqitura dhe vlera e shitur shënoi 3.900.000.000 lekë nga 4.168.910.000 lekë që u kërkuan. Yield-i maksimal i pranuar është 6.31 për qind, yield-i minimal, mesatar i thjeshtë dhe ai mesatar i ponderuar, shënuan nivelin 6.30 për qind. Këto bono do të maturohen më 03.07.2008, bëri të ditur BSH-ja.
INSTAT-i, importet me Gjermaninë 3.4 miliard lekë në dy muaj
Importet e mallrave me Gjermaninë gjatë dymujorit të parë të vitit 2008, llogariten në 3 miliard e 439 milionë lekë, nga 2 miliard e 882 milionë lekë, që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, eksportet me Gjermaninë gjatë periudhës janar-shkurt arritën në 451 milionë lekë ose 84 milionë lekë më shumë se në dymujorin e parë të vitit të kaluar. Importet nga Gjermania përbëhen kryesisht nga produkte kimike, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, si dhe tekstile dhe këpucë. Vlerën më të lartë të importeve e përbën grupi makineri pajisje dhe pjesë këmbimi, duke arritur në 2 miliard e 123 milionë lekë. Sipas INSTAT-it, struktura e eksporteve përbëhet kryesisht nga ushqime dhe pije, artikuj tekstile dhe materiale ndërtimi. Për dymujorin e parë të 2008-s, vlerën më të lartë të eksporteve e shënoi grupi tekstile dhe këpucë, e cila arriti në 269 milionë lekë.
17 Prill 2008